zoom

Ekonomi

Importet e vajit të ullirit rriten me 49%

Pas rënies së tyre në vitin 2023, importet e vajit të ullirit nisin sërish rritjen. Për muajt janar-tetor 2024 janë importuar një sasi prej 49 tonësh vaj ulliri, sipas të dhënave të Doganave.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës sasia e importeve u rrit me 49%.

Në vlerë, importet e muajve janar-tetor arrijnë në 52 mln lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të  2023, importet në vlerë janë rritur 90%.

Për vitet 2019-2024, sasia më e madhe e importeve të vajit të ullirit për 10-mujorin është shënuar në 2020, në periudhën e pandemisë së Covid-19. Sasia e importeve arriti në 440 tonë.

Përpunuesit e vajit të ullirit pohojnë se një nga faktorët kryesorë që ka favorizuar shtimin e importeve përgjatë 2024 është rënia e prodhimit të vajit të ullirit në 2023, pas mbiprodhimit të arritur në 2022. (Sezoni për vjeljen e ullirit dhe prodhimin e vajit të ullirit përkon me muajt tetor-nëntor të çdo viti).

Sipas tyre, rënia e prodhimit mund të ketë krijuar mungesa në treg, duke sjellë që kërkesa e brendshme për vaj ulliri të plotësohet nga importi.

Për vitin 2022, në rang vendi, sipas të dhënave të INSTAT u prodhuan 29,2 mijë ton vaji ulliri. Në raport me vitin paraardhës sasia e vajit të prodhuar u rrit rreth 13%.

Sasia e vajit të ullirit të prodhuar në 2022 rezulton të ishte më e lartë në 15 vitet e fundit. Ndërsa në 2023 u prodhuan 28,3 mijë ton vaj ulliri. Krahasuar me 2022 prodhimi ra 3%.

Sivjet përpunuesit kanë pohuar se sasia e prodhuar e ullinjve është e lartë, por rendimenti i tyre është gati 50% më i ulët se në 2023, për shkak të luhatjeve të lartë të temperaturave. Për rrjedhojë nuk pritet që në total sasi e vajit të prodhuar të jetë e lartë.

Po ashtu në 2023 pati një rritje të lartë të eksporteve të vajit të ullirit, kryesisht të vajit rifuxho në Itali. Për 10 mujorin 2023, sipas të dhënave të Doganave, rezultoi se sasia e eksporteve u rrit 18 herë në raport me 2022. Në 2023 u eksportuan rreth 5,800 ton vaj ulliri.

Shtimi i eksporteve ndihmoi shumë fermerë të shisnin sasinë e lartë të vajit të prodhuar në 2022. Te pikat e grumbullimit vaji i ullirit për eksport u shit me çmim deri në 550 lekë për litër. /Monitor