zoom

Aktualitet

I vunë zjarrin “Sarajeve të Toptanit”, policia identifikon autorët

Zjarri që përfshiu mbrëmjen e së hënës godinën e Sarajeve në kryeqytet dyshohet se është vënë nga dy persona. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë hetuesit kanë mundur të identifikojnë 2 autorët, por për shkak të hetimit nuk bëhet ende me dije identiteti i tyre.

Burime nga policia thonë se autorët janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga kamerat e sigurisë është parë se ata kanë hyrë nga pjesa e pasme e godinës dhe pasi i vunë flakën ambienteve të katit të parë u larguan me shpejtësi.

Në pamjet e sekuestruara, shfaqen dy persona që mund të jenë përfshirë në zjarrvënien e monumentit të kulturës. Nga hetimet ka rezultuar se autorët kanë përdorur një bidon me benzinë. Një prej tyre , që shfaqet në këtë video largohet me vrap pak sekonda pas zjarrvënies.

Si pasojë e flakëve është dëmtuar edhe pjesa e tavanit e ndërtuar kryesisht me bazë druri. Burime nga policia me dije se, flakët janë pikasur nga roja i një biznesi aty pranë që më pas ka njoftuar edhe forcat zjarrfikëse. Për shkak të ndërhyrjes së shpejtë zjarri është vënë nën kontroll duke shmangur djegien dhe shkatërrimin total të godinës.