zoom

Aktualitet

I shpallur në kërkim për kalim të paligjshëm të emigrantëve, arrestohet 32-vjeçari, në pranga dhe dy të tjerë

Policia e Korçës ka vendosur në pranga tre persona, një prej të cilëve i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Ndërsa të dy shtetasit e tjerë u ndaluan për vepra penale të kryera kundër autoritetit shtetëror, rendit publik dhe kontrabandës me mallra.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Bien në prangat e Policisë tre shtetas, njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim për veprën “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Dy shtetasit e tjerë, u ndaluan për vepra penale të kryera kundër autoritetit shtetëror, rendit publik dhe kontrabandës me mallra.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. F., 32 vjeç, banues në Pogradec (me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër lirisë së personit).

Ndalimi i tij u bë pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin e datës 14.05.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. L., 39 vjeç, banues në Korçë.

Shtetasi i mësipërm, është kapur në lagjen nr. 3, Korçë, duke drejtuar mjetin motor tip “Lifan” pa leje drejtimi, pa dokumentacionin përkatës dhe në momentin e shoqërimit për në ambientet e Komisariatit, 39-vjeçari, ka kundërshtuar punonjësit e policisë gjatë kryerjes së detyrës.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në DVP Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. N., 61 vjeç, banues në fshatin Diellas, Pustec.

Ky shtetas, u kap në lagjen nr. 17, Korçë, pranë tregut të shumicës, me automjetin tip “Volksëagen”, duke tregtuar mallra ushqimore pa dokumentacionin përkatës (faturë blerjeje malli). Nga veprimet e mëtejshme, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën që ky shtetas dispononte në këtë treg, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera ushqimore të dyshuara si kontrabandë.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.