zoom

Slider

I morën Audi-n 42 mijë euro/ Pyetja “e çuditshme” që i bënë grabitësit të riut nga Kosova në Milot

Babai i Meriton Ahmetajt, të riut që mbrëmë iu grabit vetura në Rrugën e Kombit, deklaroi se djalin e tij e kishin kërcënuar me të shtëna kallashnikovi dhe armën në kokë.

Rrahman Ahmetaj sqaroi se të rinjtë fillimisht kishin menduar se ishin duke u ndjekur nga policia e shtetit, por pas ndaljes e kuptuan se ishte tjetër gjë.

“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Meritoni, djali im, 21 vjeçar, ka qenë i shoqëruar me Fatlind Morinën, i cili e ka pasur ditëlindjen me 1 shtator dhe kanë qenë duke u kthyer nga Budva”, tha ai për Klan Kosova.

“Në Milot janë ndalur për të marrë pije afër një marketi dhe një makinë me targa italiane i ka përcjellë. Pasi janë larguar rreth 5-6 kilometra, i është ndezur një dritë vezulluese e ngjashme me atë të policisë. Meqenëse ka qenë zonë e kufizuar me 60 kilometra në orë dhe ai ka ecur me 80 kilometra shpejtësi, ka menduar që është policia e shtetit”.

“Në momentin që është ndalur, ajo makinë që ishte me drita të policisë i është afruar shumë afër nga prapa, ndërsa makina tjetër e ka bllokuar pjesën e përparme të makinës dhe kanë filluar të shtëna me kallashnikov dhe me britma e me pistoletë në kokë i kanë nxjerrë nga makina. I kanë shtrirë për tokë, i kanë bastisur, të gjitha pajisjet ua kanë marrë”.

Ahmetaj po ashtu u shpreh se për ta ishte interesante pyetja që ua bënë grabitësit në ato momente, duke i thënë ‘a ka makina juaj GPS, e Meritoni i ka thënë se po’.

Ai megjithatë shprehet se vlera e veturës 42 mijë euroshe nuk ka rëndësi fare për të, por që autorët të kapen dhe këto fenomene të pahijshme të mos përsëriten, sidomos në shtetin shqiptar.