zoom

Aktualitet

I doli emri në përgjimet e mafias, Veliaj: Fajin e ka Saliu

Kryetari i Bashkisë së Tiranës reagoi në mënyrë indirekte për përgjimet e antimafias italiane ku emri i tij përmendet për lidhje të ngushta me anëtarë të organizatës mafioze, Ndragheta.

Ai e quajti këtë si një lajm të rremë, pas të cilit, sipas tij, qëndron ish –kryeministri Sali Berisha.

“Do dëgjoni në këtë fushatë çudira, ku do dalim që kemi qenë shokë çerdheje me Eskobarin, lloj-lloj çudirash. Strategjia e Saliut ka qenë përça dhe sundo”, deklaroi ai.

Veliaj këmbënguli se pas përgjimeve qëndron Berisha dhe se ai po e bën këtë për të përçarje.

“I ka funksionuar në vitet ‘90. Hidhte helmin e vet, përçante veriun dhe jugun.  Përçante myslimanë me të krishterë, përçante fshatin me qytetin. I funksionoi, por tani shqiptarët kanë parë botë me sy, dinë çfarë janë lajmet e rreme.”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka një konflikt të hapur me Ora Neës, televizionin që publikoi përgjimet. E ka akuzuar disa herë pronarin e saj për gjobëvënie dhe gjobëvënien e përdori sërish për të hedhur poshtë dyshimet që ngrihen ndaj tij nga përgjimet e antimafias italiane.

“Ata mund të hedhin helm, ata mund të marrin portale, ata mund të paguajnë rrjetet sociale që vënë gjoba, ata mund të bëjnë çfarë të duan. Por ne socialistët jemi të fokusuar tek data jonë, te kutia e votimit”.

Ish –kryeministri Sali Berisha vijon të akuzohet sa herë hidhen akuza apo shpërthejnë skandale për qeverinë dhe Partinë Socialiste, më së shumti nga kryeministri Rama, aq sa ai e bëri edhe moto të fushatës elektorale të vitit 2013 sloganin “Fajin e ka Saliu”. /Zoom.al