Aplikacion
Mëngjesin e sotëm, për të dytën herë, aktori Gazmend Paja u paraqit në ambientet e SPAK-ut. Për një figurë të njohur të ekranit, prania para dyerve të Prokurorisë së Posaçme nuk mund të kalonte pa vëmendje. Megjithatë, ndryshe nga rolet e tij humoristike, kjo dalje nuk provokoi të qeshura, përveç ndoshta një buzëqeshjeje të hidhur në rrjetet sociale.
Historia që e solli Pajën në SPAK nisi në vitin 2022 kur kompania e tij, “Ecotech Energy Services”, në bashkëpunim me “Startek”, fitoi statusin e investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti luksoz në Dhërmi. Projekti përfshinte një sipërfaqe prej 133,000 m² dhe një vlerë investimi prej 13.8 milionë eurosh. Vendimi i qeverisë për ta cilësuar si investitor strategjik një aktor humori shkaktoi reagime të shumta, madje edhe akuza nga Partia Demokratike. Pyetjet ishin të natyrshme: si mundi një artist të kalonte kaq shpejt nga skena e teatrit në listën e biznesmenëve të mëdhenj? Nga buronte ky financim? A i plotësonte vërtet kriteret për t’u quajtur investitor strategjik?
Kur doli nga godina e SPAK-ut, i pritur nga kamerat e televizioneve, Paja tentoi t’i përgjigjej situatës me të njëjtën qasje që e kishte përdorur më parë: një përzierje ironie dhe vetësigurie. Në vend të një shpjegimi serioz, ai zgjodhi një ton humoristik, që në të vërtetë s’bëri askënd për të qeshur. “Isha me prokurorin në kafe, më mori telefonin dhe ia ktheva” – tha ai.
Por nëse një buzëqeshje e Tom Doshit para SPAK-ut mund të lexohet si sfidë e një “të forti” ndaj sistemit, nëse Erion Veliaj mund ta justifikojë cinizmin e tij me “prokurorë kolegë”, dhe të tjerë zgjedhin të heshtin për të mos bërë lajm, arroganca e një aktori është e vështirë për t’u gëlltitur.
Paja e përsëriti të njëjtën narrativë si disa muaj më parë në podcastin “Garage Lock”, ku pretendoi se e kishte marrë statusin e investitorit strategjik nga dashamirësia e banorëve të Dhërmiut, një deklaratë kjo që atëherë e përfshiu në një stuhi kritikash në rrjetet sociale. Ai madje u ankua se për shkak të mediave, kishte humbur disa përfitime.
Por, çfarë është më zhgënjyese në këtë histori? Ndoshta fakti që artistët gjithmonë janë parë si zëri i popullit, jo si politikanët e korruptuar, kryebashkiakët e pabesë apo biznesmenët e dyshimtë. Një artist që sillet si një oligark i vogël nuk është thjesht zhgënjyes, është edhe shqetësues.
Dikush në rrjet shkroi me ironi: “Humor burgu, besoj është gati.” Dhe pëlqimet nuk vonuan të vërshojnë…
Skandali me mandarinat e helmuara që iu shitën shqiptarëve, PD: SPAK të hetojë AKU!