zoom

Aktualitet

Hoti kundërshton Osmanin, Dialogu me Serbinë do të vazhdojë

Pavarësisht thirrjeve të një sërë aktorëve politikë në Kosovë për për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, kryeministri Avdulla Hoti ka hedhur poshtë çdo mundësi të ndërprerjes së bisedimeve, duke thënë se gjeja e fundit që i duhet Prishtinës është izolimi në skenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hoti thotë se pavarësisht daljes së Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe një sërë figurave të tjera në bankën e të akuzuarve në Hagë, qeveria e tij do të vazhdojë procesin e dialogut të  udhëhequr nga BE-ja, për të mos dëmtuar integrimin e Kosovës në organizatat përëndimore.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur të dytën”, deklaroi ai.

Hoti iu përgjigj kërkesës së ushtrues së detyrës së presidentit pas dorëheqjes së Thaçit, Vjosa Osmani për ndërprerjen e dialogut me Serbinë, të cilës i është bashkuar edhe ish-kryeministri Avdulla Hoti, duke thënë se dalja e ish-udhëheqësve të UCK -së para Hagës nuk ka lidhje më bisedimet e paqes.

“Është proces tjetër ai që po ndodh në Dhomat e Specializuara. Fatkeqësisht, figura të larta dhe shtetërore dhe politike janë të përfshira në këtë proces, por qeveria po funksion. Kushdo që thotë se duhet të ndalet procesi i dialogut, e ka shumë gabim. Procesi i dialogut dhe pjesëmarrja e Kosovës në dialog në Bruksel, nuk bëhet për interesa të Serbisë, por bëhet për interesa të Kosovës”, thotë Hoti.” Deri më tani dhe na është dashur të bëjmë një punë shumë të madhe, të marrim vendime shumë të vështira jopopuliste, për të treguar që ne jemi një qeveri që i dalim zot vendit, e hapur, pro-europiane, që dimë se si të mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës dhe nuk kemi asnjë hezitim që të ulemi në tavolinë të dialogut”.

I pyetur nëse qeveria e tij ka fuqi që të mbijetojë dhe ta çojë përpara procesin e dialogut dhe të mbajë të unifikuar koalicionin qeverisës, Hoti thotë se ka të gjitha kompentencat kushtetuese për të udhëhequr vendin dhe dialogun.

Le të ankohen sa të duan në skenën politike, Kosova nuk do të mbetet e izoluar për aq kohë sa unë jam kryeministër”, thotë Hoti. “Dialogu nuk duhet të ndërpritet sepse nuk është në interesin e Kosovës. Unë besoj se ne i shërbejmë më së miri shtetësisë së Kosovës edhe atyre njerëzve që janë në Dhomat e Specializuara, duke treguar maturinë shtetërore për të gjitha proceset, përfshirë edhe procesin e dialogut.

Sipas tij, ajo që duhet të bëjnë partitë politike tani është të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. “Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar”, shprehet kryeministri.

Hoti foli edhe për bashkimin e Kosovës në një treg të përbashkët rajonal në kuadër të Mini-Shengenit duke thënë se Prishtina ka një sërë avantazhesh që përkthehen në përfitime ekonomike.

Në njëfarë mënyrë ne kemi pasur një treg rajonal, përmes CEFTA-s rajoni ka funksionuar si një treg në shumë aspekte, kemi pasur shumë barriera dhe kemi ende shumë barriera që vijnë për shkak të problemeve politike që kemi në këtë rast në mes vendeve Kosovës dhe Serbisë, por edhe Kosovës me Bosnjë e Hercegovinën. Unë besoj se deklarata që kemi nënshkruar dhe zotimet që kemi marrë sot, mundësojnë që të tejkalojmë shumicën e barrierave dhe të integrohen ekonomikisht vendet në rajon. Kjo është përfituese për të gjitha vendet, përfshirë edhe Kosovën, sepse është ndryshe kur ke qasje në një treg që ka shumë më tepër konsumatorë për të funksionuar dhe shitur produktet. Por, mbi të gjitha ndikon shumë në tërheqjen e investimeve, në rritjen e konkurrencës dhe përgatitjen e këtij tregu për integrim në BE. Ajo që për ne është shumë e rëndësishme, është se ky treg nuk e zëvendëson tregun e përbashkët me BE-në, por e rrit integrimin ekonomik mes vendeve të rajonit”, u shpreh kryeministri.