Aplikacion
Bazuar në të dhënat e Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 7.7 për qind më e lartë se në rundin e parë, i cili u mbajt më 19 mars.
Në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale kanë votuar rreth 383.3 mijë votues ose 70.7 për qind.
Pasi fituan më së shumti vota në rundin e parë zgjedhor të 19 marsit, kandidatët për pozitën e presidentit për një mandat pesëvjeçar janë Millo Gjukanoviçi dhe Jakov Millatoviç.
Ndërsa, Jakov Millatoviç, është kandidati i Lëvizjes Evropa Tani, parti e themeluar në qershor të vitit të kaluar. 37-vjeçari ka hyrë në politikë që më pak se tre vjet.
Ai ka thënë se dëshiron që Mali i Zi të anëtarësohet në BE, megjithëse disa nga partitë që e kanë mbështetur kandidaturën e tij janë pro-ruse.
Ndërsa, Gjukanoviç është udhëheqës i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe president aktual i Malit të Zi. 61-vjeçari ka qenë në krye të politikës malazeze për më shumë se 33 vjet.
Ai ka qenë një aleat kryesor i Perëndimit për kundërshtimin e ndikimit rus. Ai ka këmbëngulur se kjo betejë nuk ka përfunduar pavarësisht anëtarësimit të Malit të Zi në NATO shkaku i politikave të supozuara ekspansioniste të Serbisë dhe ndikimit të Rusisë.
Të drejtën për të votuar për njërin prej tyre kishin 542.154 qytetarë. Më së shumti votues ka në Podgoricë, gjithsej 143.609, ndërsa më së paku ka në qytetin në veri të vendit, në Shavnik, ku janë të regjistruar vetëm 1.777 votues.
Këto janë zgjedhjet e katërta presidenciale që nga ripërtëritja e pavarësisë së Malit të Zi dhe të shtatat që nga futja e sistemit shumë-partiak.