zoom

Politikë

Hipokrizi pushteti/ U arrestua pë ryshfet! Ç’thoshte zëvendësministrja dikur: Do ia presim kokën krimit

Ish-zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda u vu dje në arrest me një vendim të Gjykatës së Posaçme, e akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm”.

Dyshohet se ajo ka marrë ryshfet nga dy shtetase, Florida Beu dhe Majlinda Hasani kundrejt emërimeve të tyre në detyrë.

Por dy vite më parë, kur Voda mbante detyrën e zëvendësministres zotohej për luftë kundër krimit dhe korrupsionit.

Madje, në një intervistë në emisionin “Provokacja” Rovena Voda thoshtese do të goditen dhe do të bllokohen pasuritë dhe asetet e paligjshme, me qëllim që t’u pritet “koka” grupeve kriminale.

“Flas me pasion për Policinë e Shtetit për shkak se kam dy vjet në atë ministri dhe shoh nga afër vullnetin edhe punën e palodhur të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit. Ne ndërmorëm Vetingun, një Prokurori e pastër, pse jo të kemi edhe një Polici të pastër. Sepse ata janë vija e pare që përballen me krimin. Lufta kundër krimit të organizuar është një prioritet për hapjen e negociatave me BE. Ajo që po duam t’i mëshmojmë më fort është lufta kundër aseteve kriminale. Mendojmë se nëse do vazhdojmë të godasim në bllokimin e pasurive, aseteve të paligjshme ne do të mundemi t’ia presim ‘kokën’ lulëzimit të grupeve kriminale”, do të shprehej dikur Voda për moderatorin Mustafa Nano.

Ndërkaq në një tjetër intervistë për “Vizionin e Pasdites” në po të njëjtin vit, zëvendësministrja jepte leksione jete dhe këshilla për vajzat që duan të bëjnë karrierë në drejtësi, apo të përfshihen në politikë.

“Gjëja e parë është punoni shumë. Shumë punë, këshilla e parë që dua të jap. E dyta të dinë vlerat e vetes. Të njohin vlerat e vetes së tyre. Shpesh herë ambientet ku punojmë nuk janë shumë miqësore, të bëjnë të dyshosh te aftësitë e tua. E treta, më pëlqejnë gratë dhe vajzat kurajoze. Të jenë të guximshme. Të guxojnë që të përqafojnë sfidat dhe ndryshimin. Këto janë tre këshillat më të mira që do jepja për çdo vajzë dhe çdo femër”, do të shprehej Voda.