zoom

Aktualitet

Hije skandali te Mjekësia, dekania kërkon rinumërim pasi humbi zgjedhjet. Kutitë në zyrë pa siguri

Hije skandali me zgjedhjet e drejtuesve të rinj në Universitetin e Mjekësisë, në fakultetin e Infermierisë.

Pa asnjë kontestim, komisioni zgjedhor shpalli fituesin, Ergys Ramasaçaj, me diferencë të ngushtë votash përballë kandidates Ilirjana Zekja, e cila rikandidon për postin e dekanes.

Por çudia ka ndodhur më pas. Dekania në largim, Ilirjana Zekja e ka kontestuar rezultatin disa ditë pas shpalljes së tij, me pretendimin se komisionerët kanë qenë të lodhur dhe ka kërkuar rinumërim.

Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) e refuzoi kërkesën, pasi nuk gjeti asnjë parregullsi. Procesi i numërimit u filmua nga kamerat dhe KIZ ripa të gjithë materialin.

Por kontestimi erdhi pasi kutitë e votimit u mbajtën në ambiente të paautorizuara dhe të pasigurta, në të cilat nuk dihet se kush mund të ketë pasur akses. 

Në këtë proces, dekanes në largim i ka ardhur në ndihmë Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata. Me një shkresë që mban firmën e tij, ai ka urdhëruar Komisionin e Apelimit që të urdhërojë “KIZ” të rinumërojë votat në kutitë që ishin mbajtur prej 5 ditësh ne mjedise të pasigurta.

Komisioni i Apelimit nuk pati konstetime një ditë më parë. Por sot ai u mblodh për të shqyrtuar kërkesën e rektorit Gjata. Pas mbledhjes, Komisioni i Apelimit tha se kishte marrë një vendim, por nuk pranoi ta bënte publik atë.

Veprimet e Komisionit të Apelimit i thellojnë dyshimet se procesi po manipulohet, siç pohojnë burime nga kampi i kandidatit Ergys Ramasaçaj. /Zoom.al