zoom

Aktualitet

Helmimi në Krujë, Manastirliu: Fluksi ra, presim analizat për shkakun

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh në përfundim të mbledhjes së qeverisë se situata në Krujë është nën kontroll dhe se është në pritje të analizave pas helmimit nga uji.

“Nga raportimet që më kanë ardhur nga ISHP dhe OKV janë ende në pritje të përgjigjeve të analizave përsa i përket analizave që janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit. Dua të theksoj se tashmë në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar.

Ditën e sotme janë rreth 14 qytetarë përfshirë, fëmijë dhe adoleshentë që janë duke marrë shërbimin, por gjendja ka qenë nën kontroll, spitali ka qenë në gatishmëri për të përballuar flukse, fatmirësisht ka ardhur në rënie”, tha ajo.

Prokuroria e Krujës nisi hetimet për helmimin masiv nga uji i pijshëm në Krujë që dërgoi në spital për mjekim mbi 500 banorë në ditët e fundit. Hetimi është ngritur mbi veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës” me pasojë dëmtimin e shëndetit të personave.

Pas analizave paraprake, ndërmarrja e ujësjellësit të qytetit që është në varësi të bashkisë, deklaroi se uji ka pasur amoniak mbi normë. Kjo do të thotë që ujërat e zeza janë bashkuar me ujërat e bardha.