Aplikacion
Me dokumente konkrete, (të dhënat zyrtare të sistemit TIMS), Bardhi argumentoi lidhjet e Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, me krerët e organizatës shqiptaro-kolumbiane të narkotrafikut, e cila ngriti një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit.
Dhjetë vite pas sinjalizimit dhe rënies në gjurmët e policisë, çështja e bujshme “Xibraka” u rikthye sërish në vëmendje, këtë herë më një detaj edhe më tronditës, sipas opozitës: “vetë vëllai i kryeministrit të vendit rezulton palë me anëtarët e grupit të strukturuar kriminal”, -deklaron Gazmend Bardhi.
Dalja në dritë e faktit se e njëjta makinë (AA653DM) ishte përdorur nga anëtarët kryesorë të grupit kriminal të Xibrakës (Genci Xhixha, Ermal Hoxha, Gentjan Gjonaj) dhe Olsi Rama do të sillte reagimin e këtij të fundit, i cili teksa u përpoq të zhvishej nga akuzat në fjalë, nuk mohoi dot njohjen me narkotrafikantët.
Të nesërmen e publikimit të fakteve të reja, Gazment Bardhi bëri kërkesë në SPAK për rihapjen e çështjes “Xibraka”, e lënë pezull që në vitin 2018. Me pretendimin se tanimë kishte zbuluar emrin e personit të katërt të paidentifikuar, që rezulton përdorues i automjetit kriminal, Bardhi kërkoi rikthimin e hetimeve të një dosjeje të cilën Prokuroria e kishte veçuar, prej moszbulimit të bashkëpunëtorëve të paidentifikuar.
Olsi Rama do të reagonte duke iu drejtuar po SPAK-ut që të hetonte Gazmend Bardhin për kallëzim të rremë.
Por ky kallëzim u rrëzua më 17 prill. SPAK njoftoi mosfillimin e procedimit penal, duke thënë se ndaj Olsi Ramës, deputeti Bardhi nuk kishte bërë asnjë kallëzim.
Ngjarja në fjalë u pasqyrua në media me tituj të bujshëm si “SPAK rrëzon Ramën”, ndërkohë që vetë Bardhi zgjodhi ta komente kështu: Të provohet se s’ka më të paprekshëm!
Por ditën e sotme, një pjesë e mediave të rreshtuara dukshëm në krahun e interesave qeveritare shpërndanë lajmin se kallëzimi në SPAK i Olsi Ramës ra thjesht dhe vetëm për faktin se nuk rezulton të jetë depozituar asnjë kallëzim penal pranë Prokurorisë apo oficerit të Policisë Gjyqësore nga ana e Gazment Bardhit apo ndonjë përfaqësuesi të tij.
Lëvizja ishte e mirëmenduar dhe mesazhi që po përpiqej të përçohej në publik ishte ai që Bardhi nuk e kishte kallëzuar dot Osli Ramën në SPAK, çka hidhte dyshime se gjithçka kishte thënë për vëllanë e kryeministrit ishte e pavërtetë dhe se ai s’kishte prova për të dorëzuar.
Por si qëndron e vërteta?
Në fakt, ekzistenca e një dosjeje, si në rastin e “Xibrakës” nuk kërkon më regjistrimin e një kallëzimi penal. Kallëzimi ndodh në rastin kur nuk ekziston një e tillë, pra nuk ka një dosje të regjistruar. Kur dosja për një çështje ekziston dhe është lënë pezull për shkaqe të ndryshme, hetimi mbi të riaktivizohet nëpërmjet një kërkese për çelje të hetimeve, çka vetë Bardhi e njoftoi zyrtarisht më 29 mars.
“Në vijim të të dhënave të bëra publike dje, ku provohet dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e vëllait të Kryeministrit Olsi Rama, në organizatën kriminale të Laboratorit të Xibrakës, sot kam përcjellë zyrtarisht pranë SPAK-ut kërkesën për nisjen e hetimeve penale ndaj tij,”- tha asokohe kreu i grupit parlamentar të PD.
Siç shihet në deklaratën e mësipërme, nuk bëhet fjalë për një kallëzim të ri për Olsi Ramën. Gazment Bardhi sqaroi në disa dalje publike se SPAK-u do të duhej t’i rihapte hetimet për shkak se ai kishte gjetur prova të reja.
Madje ai akuzoi asokohe dy prokurorët e çështjes së Xibrakës, prokurorin e përgjitshëm Olsian Çela dhe prokurorin e SPAK-ut Ervin Kondilli, se e kishin fshehur qëllimimisht emrin e Olsi Ramës dhe për këtë arsye ishin mbështetur nga mazhoranca për të marrë pozicionet e rëndësishme në sistemin e ri të drejtësisë.
Po përse i nevojiten kryeministri Rama makinacione të tilla?
Vetë kreu i qeverisë e lidhi sot këtë çështje me investigimin tronditës të RAI 3, me të cilin ai ka tre ditë që merret intensivisht, me dhjetëra reagime në platformën X apo intervista në disa televizione dhe gazeta italiane.
Edhe investigimi i emisionit “Report” në RAI 3 e përmend çështjen e Olsi Ramës dhe kryeministri thotë se Gazment Bardhi ka gënjyer se kishte bërë kallëzim në SPAK vetëm e vetëm që të përfshihej në emisionin e RAI 3.
“Kam bërë kallëzim, po kallëzim s’paska bërë thotë SPAK-u, ndërkohë që kallëzimi që s’qenka bërë iu është shitur si sapun për djathë italianëve të atij emisionit të turpshëm për Shqipërinë, të cilëve letrat e kallzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore!” – deklaroi kryeministri sot.
Gazment Bardhi i dha këtë përgjigje pak minuta më vonë:
“Për zhurmën e ditës, do ta kuptojë shumë shpejt Edi Rama, nëse kam bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij që ka përdorur të njëjtën makinë me kartelin e drogës. Dallimin ligjor të informacionit/kallëzimit që kam dërguar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion me kallëzimin e ri që regjistrohet në regjistrin e veprave penale në kuptimin penal të fjalës, mund t’ia shpjegojë fare mirë Engjëll Agaçi, eksperti i tij për çështjet e trafikantëve të drogës. Megjithatë një shpjegim mund t’ia jap dhe unë. Çështja e hetimit të përfshirjes së Olsi Ramës në trafikun e Xibrakës është njësoj si çështja e hetimit të përfshirjes së Edi Ramës në aferën e korruptimit të ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së Charles McGonigal. Për McGonigal kërkova të nisë hetimi. Kur dolën fakte të reja, nuk dorëzova kallëzim nga e para, por dërgova informacion shtesë të kallëzimit, sepse dosja penale ekziston. Njësoj dhe për Olsin e çunave të Xibrakës. Dosja penale ekziston e pezulluar dhe informacioni/kallëzimi shtesë është për ta vënë në lëvizje këtë dosje që Edi Rama do të dëshironte ta varroste.”
Reagimet e kryeministrit shtojnë dyshimet se ai është zënë ngushtë si nga investigimi i RAI 3 ashtu edhe nga kërkesa e Bardhit për të rihapur dosjen e Xibrakës. Në deklaratat e tij ai nuk i ka mëshuar faktit që RAI 3 foli edhe për implikimin e vëllait të tij në trafikun e drogës. Rama ka akuzuar emisioni e RAI 3 vetëm se ka gënjyer duke thënë se sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi nuk kishte pranuar të përgjigjej, ndërkohë që rezulton se Agaçi u kishte kthyer përgjigje gazetarëve me e-mail.
Dhe për të bërë sa më shumë tym e për ta zhvendosur vëmendjen nga çfarë raportonte televizioni publik RAI 3, kryeministri ka marrë shpatën në dorë, duke deklaruar në gazetat e Italisë se ai gjithçka po e bën për të mbrojtur Shqipërinë. Këtë përgjigjje i dha edhe gazetarit të “La Repubblica” kur e pyeti nëse kishte marrë leje te Meloni për t’i telefonuar drejtorit të RAI-t. Këtë teze po e përdor edhe ndaj çudisë që ka ngjallur në gazetarë, deputetë e senatorë italianë precedenti që ka krijuar kryeministri i Shqipërisë duke marrë në telefon drejtuesin e një televizioni publik të një vendi tjetër. “Putiniane”, e pa sjelljen e tij autori i programit, Sigfrido Ranuçi, duke nxjerrë në dritë faktin se njësoj kishte reaguar në një rast tjetër ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
Por kë po mbron realisht kryeministri dhe mediat që i bëjnë jehonë vetëm deklaratave të tij kundër emisionit të RAI 3 pa dhënë as edhe një rresht nga investigimi i gazetarëve italianë? A po shqetësohet vërtet Edi Rama për imazhin e Shqipërisë apo ka hallin e imazhit të vet?
Për të marrë përgjigje për këtë pyetje mjafton të shohësh që në emisionin e RAI -t nuk kritikohej aspak Shqipëria, por u përmendën disa të dhëna kompromentuese mbi sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe vëllanë e kryeministrit. Kritikat ishin ndaj qeverisë italiane që do të shpenzonte 1 miliard euro për të sjellë emigrantët në Shqipëri në një kohë kur kishte alternativa më të favorshme duke i strehuar ata në Itali. /Zoom.al