zoom

Slider

Habiti me deklaratën e tij! Vidhte pakot që duhet të dorëzonte, kapet shqiptari në Zvicër

Një 44-vjeçar shqiptar që punonte për një shërbim privat postar (korrier), tashmë do të përballet me drejtësinë, pasi akuzohet se nuk ka dorëzuar në destinacion pakot, madje në disa raste i ka shitur.

Bëhet fjalë për 115 pako, të cilat shqiptari nga Kosova nuk ua ka dorëzuar marrësve, por i ka grumbulluar në shtëpinë e tij. Aty përfshihen: veshje, syze dielli, vathë, termometra zgare, çizme gome, atlete etj.

Të premten ai është përgjigjur para trupit gjykues në Gjykatën e Qarkut në Pffäfikon, shkruan 20minuten.ch. Nga korriku i vitit të kaluar deri në janar, ai kishte punuar në zonat e komunave të Kantonit të Cyrihut, si: Nürensdorf, Wangen dhe Brüten, ndërkohë që vlera e mallit të vjedhur shkon rreth 44,000 franga.

I pyetur nga gjykatësi përse nuk i kishte dorëzuar porositë, burri u përgjigj:

“Nga zhgënjimi dhe zemërimi, sepse nuk gjeja adresën e dorëzimit. Pasi i kisha grumbulluar mallrat në banesën time, nuk dija çfarë të bëja me to”.

Ai thotë se ndihet keq dhe betohet se nuk do ta bëjë kurrë më diçka të tillë në jetë.

Vendimi i propozuar i prokurorit parashikon një burgim me kusht për 12 muaj si dhe dëbim 7-vjeçar nga Zvicra. Ndërkohë që 44-vjeçari nuk e ka kundërshtuar këtë masë, ndërsa theksoi se “unë do të kisha pranuar një dënim më të gjatë, ndihem fajtor”. Por kur iu shqiptua dëbimi, ai tha:

“Nuk mund të kthehem në Kosovë, më jepni edhe një shans tjetër”.