zoom

Bota

Grusht shteti në Guine, ushtria rrëzon presidentin

Një grusht shteti ka ndodhur në Guine. Një njësi ushtarake kombëtare ka njoftuar përmes një videoje se ka marrë pushtetin në vend dhe se kanë rrëzuar presidentin e vendit, Alpha Conde.

Një ushtar i paidentifikuar e i mbështjellë me flamurin e vendit dha një fjalim të shkurtër në transmetuesin kombëtar, Radio Televizioni Guinea. Ai rrëfeu se parlamenti dhe kushtetuta e vendit ishin pezulluar dhe kufijtë ishin mbyllur.

“Ne po marrim fatin në duart tona”, tha ai.
Sidoqoftë, ministria e mbrojtjes tha se një sulm ndaj pallatit presidencial nga forcat kryengritëse ishte ndalur.

“Garda presidenciale, e mbështetur nga forcat besnike dhe republikane të mbrojtjes dhe sigurisë, zmbrapsi grupin e sulmuesve,” thuhej në një deklaratë.

“Operacionet po vazhdojnë për të rivendosur rendin dhe paqen.”

Mamady Doumbouya, udhëheqësi i përpjekjes për grusht shteti, tha se elitat e kishin keqtrajtuar vendin dhe se do të kishte një periudhë tranzicioni 18-mujore.