zoom

Bota

Grusht shteti në Beograd? Njeriu i Putinit ngre alarmin për rrëzimin e Vuçiç nga pushteti

Dy vrasjet masive të muajit të kaluar në Serbi, duket se po e ndjekin “këmba-këmbës” presidentin e vendit, Aleksandër Vuçiç. Ditët pas ngjarjeve ishin të vështira për të, mes tronditjes dhe panikut të qytetarëve, për njerëzit e pafajshëm që humbën jetën si dhe mungesën e sigurisë në vendin e tyre, Mirëpo, edhe tani që kaluar pak kohë, situata po ndërlikohet edhe më shumë për Vuçiç, sidomos me thirrjet për dorëheqjen e tij, të ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiç dhe drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informacion, Aleksandër Vulin. Po ashtu protestat në rrugët e Beogradit, e kanë shndërruar në një çështje të nxehtë politike, të cilës presidenti serb nuk po i shpëton dot. Madje, skenaret janë nga më të ndryshmet e më të frikshmet, si për shembull që në Serbi po thuret plani për një grusht shteti dhe se Beogradi do të jetë “Maidani i ri”, duke iu referuar ndryshimit të qeverisë në Ukrainë në 2014 dhe përleshjeve në sheshin Maidan të Kievit.

“Maidani i ri”

Ambasadori rus në Serbi Aleksandër Botsan-Harçenko tha të martën se kundërshtarët e presidentit serb Aleksandër Vuçiç po përpiqen të organizojnë një grusht shteti të stilit “Maidan”. “Kjo është pjesë e luftës hibride. Dua të theksoj se forcat anti-beogradase veprojnë pothuajse në sinkron, ato veprojnë në dy fronte, përkatësisht situatën në Kosovë dhe tentativën për grusht shteti në Maidan këtu në Beograd”, tha Harçenko, transmeton Tass. Ai dukej se i referohej tubimit antiqeveritar në Beograd më 28 maj, kur protestuesit u mblodhën pranë godinës së televizionit kombëtar, tubimi i katërt në muajin e fundit. Tubimet e quajtura ‘Serbia kundër dhunës’ u mbajtën më 8, 12 dhe 19 maj në Beograd pas dy të shtënave që ndodhën radhazi në Serbi: në shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’, kur një djalë 13-vjeçar vrau nëntë bashkëmoshatarë të tij dhe një roje sigurie shkolle dhe plagosi shtatë persona të tjerë dhe në Mlladenoc, ku një njeri i armatosur vrau tetë dhe plagosi 14 vetë. Tass shkruan se qytetarët kërkuan edhe mbylljen e disa mediave proqeveritare që propagandojnë dhunën dhe urrejtjen.

Refuzimi i Vuçiç

“Skenari i Maidanit” është përmendur më parë edhe nga vetë Vuçiç, ndonëse ai është shprehur i sigurt se nuk do të përsëritet në kryeqytetin serb. “Në Beograd nuk do të ketë Meidan”, tha Vuçiç nga Smedereva para pak javësh, ku u ekspozua një pjesë e 13.500 armëve të ndryshme ilegale që qytetarët me ftesë të MPB-së i kanë dorëzuar që pas dy vrasjeve masive. Vuçiç tha se nuk do të pranojë që këtë ta kërkojnë “udhëheqësit e frustruar të opozitës, të cilët nuk i fitojnë dot zgjedhjet dhe që sillen si hienat më të këqija”, duke menduar se mund të arrijnë në pushtet duke u futur në disa institucione. Ai i tha opozitës se kishte “ëndrra të pakuptimta për Maidan”, duke refuzuar të pranojë se mund të ketë kryengritje popullore. Në nëntor 2013, demonstratat filluan në sheshin Maidan në Kiev pasi autoritetet lokale refuzuan të nënshkruanin një marrëveshje të rënë dakord më parë me BE-në. Demonstratat kulmuan me rrëzimin e presidentit ukrainas Viktor Janukoviç në shkurt 2014 dhe më pak se një muaj më vonë Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë.

Vrasja e liderit serb

Rrëzimi i qeverisë, madje edhe vrasja e Vuçiç, është bërë diskutim thuajse i zakonshëm në Serbi, Kujtojmë se në fillim të këtij viti, Srgjan Laliç, bashkëpunëtor i akuzuar, tha dje para Gjykatës Speciale në Beograd se Veljko Belivuk dhe Marko Miljkoviç, si dhe Radoje Zvicer dhe njerëz nga shërbimet e sigurisë, kryesisht nga shërbimi malazez ANB, kishin planifikuar të rrëzonin qeverinë në Serbi si dhe vrasjen e presidentit Aleksandçr Vuçiç, i cili ishte objektivi kryesor. Duke iu përgjigjur pyetjes së të akuzuarit, nëse i di emrat e njerëzve nga struktura në pushtet që është dashur të rrëzohen, Laliç ka thënë: “Është e gjithë struktura qeverisëse, veçanërisht presidenti, ai që shënohet si pengesa kryesore”.Me këmbënguljen që të jepte emrat dhe mbiemrat e personave që duhej të merrnin pushtetin, ai tha se kushdo mund të vijë, vetëm të heqin qafe presidentin Vuçiç. “Ata as nuk e kuptojnë se kush do të vinte, por ka dikush që mundet,” tha ai.