zoom

Të gjitha

Grishje në vend të urimit

Miq,

Para se të fillojë vërshimi i urimeve për vitin e ri 2021 dhe të “përmbyteni” prej tyre, dëshiroj t’ua uroj me disa fjalë të thjeshta ndërrimin e viteve.

Ndërsa falenderojmë Zotin për vitin që lamë pas, sigurisht që duam një vit të ri më të mirë, pa problemet e rënda me të cilat na shoqëroi 2020-ta. Në të vërtetë, a nuk është ky urimi që bëjmë çdo vit? A nuk themi çdo vit: “Qoftë një vit më i mirë ky që po vjen! Me i mirë se ai që iku!”?

Edhe unë mund t’ju uroja me të njëjtat fjalë: “2021-shi qoftë një vit më i mirë për çdonjërën prej familjeve tuaja dhe për secilin prej jush!”

Por më lejoni të shtoj diçka: mos ta lëmë foljen e urimit në mënyrën dëshirore, sepse kam një lloj droje, sikur i nënshtrohemi një farë fataliteti e presim një ndryshim që vjen nga jashtë, nga të tjerët.

Viti nuk ka si të jetë më i mirë vetvetiu, nëse ne nuk e bëjmë atë më të mirë. Viti, koha, jemi ne. Prandaj në vend të një urimi, këtë herë dëshiroj t’ju bëj një grishje.

O burra ta bëjmë më të mirë këtë vit!

Ta bëjmë më ndryshe këtë kohë që po vjen, për vete dhe për familjet tona; për atdheun tonë e për të ardhmen e tij. Të marrim në dorë përgjegjësinë tonë për të ndryshuar veten dhe çka na rrethon, familjen dhe shoqërinë, vetveten dhe të afërmin. Punët e mira që kemi bërë këtë vit, t’i bëjmë akoma më të mira dhe të këqijat t’i ndryshojmë me angazhimin tonë. Po, po! Me angazhimin tonë dhe të mos i delegojmë vendimet dhe përgjegjësitë tona te askush.

Një vit është një rrotullim rreth diellit, rreth dritës. Edhe kur është terr, përsëri rreth dritës sillemi. Po edhe terri na duhet ama, së paku për të shijuar dritën kur të vijë e nesërmja. Ndaj ta marrim në dorë çdo ditë jetën tonë dhe të ngulim sytë tek e nesërmja, tek drita të cilën për momentin ndoshta nuk e shohim, por që është aty.

Ta bëjmë më të mirë 2021-shin!

Bëjeni më të mirë 2021-shin!

Ky është urimi im dhe bashkë me të ju dërgoj një përqafim për secilin prej jush!

©Dom Gjergj Meta