zoom

Bota

Greqia, vendi i parë që përdor një pasaportë vaksinimi antiCovid

Greqia ka vënë në dispozicion certifikata vaksinimi kundër Covid-19. Sipas mediave greke, ato janë një dokument mjekësor që do ta kenë personat, të cilët kanë marrë dy doza të vaksinave.

Për të parandaluar falsifikimin, certifikata dixhitale e vaksinimit ka një vulë dixhitale, kod verifikimi dhe kod QR, në mënyrë që procesi i verifikimit të vërtetësisë së tij të jetë i lehtë dhe i menjëhershëm.

Ministri i Qeverisë Dixhitale, Kyriakos Pierrakakis ka bërë të ditur se deri më tani përmes platformës gov.gr janë shpërndarë 55,000 certifikata vaksinimi.

Në lidhje me përdorimin e certifikatave, ministri vuri në dukje se është një certifikatë që ka një qëllim shëndetësor. Sidoqoftë, një debat është hapur në BE me iniciativën e Kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis që kjo certifikatë të përdoret si një mjet lehtësimi, për të kaluar kufirin.

Bazuar në të dhënat e 18 shkurtit, deri më tani në Greqi janë kryer gjithsej 634.037 vaksina, nga të cilat 430.124 kanë të bëjnë me dozën e parë të vaksinave, ndërsa 203.913 kanë marrë të dyja dozat.

Që prej fillimit të pandemisë në Greqi janë shënuar 180,672 raste infektimi dhe kanë ndërruar jetë 6,321 pacientë.