zoom

Lajme

Greqia këmbëngul, ministri i Jashtëm: “Beleri” çështje Evropiane, jo mes Shqipërisë dhe Greqisë!

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Giorgos Gerapetritis deklaroi se rasti i Fredi Belerit duhet të shikohet si një shqetësim europian dhe jo si çështje dypalëshe mes dy vendeve në Ballkan.

“Kjo nuk është (çështje) bilaterale. Nuk është dypalëshe nëse një vend kandidat që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian respekton parimet e shtetit ligjor dhe të drejtat politike të qytetarëve të vet. Është një çështje europiane dhe duhet ta perceptojmë si të tillë që ta theksojmë në çdo forum”, tha ai për radion “Skai”.

Ministri grek kritikoi ndër të tjera mandatin e tejzgjatur të Jorgo Goros në krye të bashkisë gati një vit pas zgjedhjeve lokale ku u mund nga Beleri.

Ai e përshkroi këtë situatë si “një fyerje për çdo koncept europian të shtetit të së drejtës”. Goro ka dhënë dorëheqjen nga detyrat e tij pasi Gjykata e Posaçme vendosi arrestimin e tij për shpërdorim detyre.

Kurse Beleri u dënua ditë më parë nga GJKKO me 2 vjet burgim, për korrupsion zgjedhor, blerje votash për zgjedhjet e 14 majit 2023 në Himarë. Ai u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, që i fitoi nga qelia me 19 vota më tepër. /ZOOM.AL/