zoom

Bota

Greqia i drejtohet OKB-së për konfliktin e ishujve me Turqinë

Greqia do të paraqesë një ankesë në Kombet e Bashkuara në lidhje me shkeljen e sovranitetit të saj nga Turqia mbi ishujt e shumtë në detin lindor Egje, njoftoi sot transmetuesi grek ERT, duke cituar Ministrinë e Jashtme në Athinë.

Tensionet mes dy fqinjëve janë rritur prej javësh. Avionët ushtarakë turq kanë fluturuar mbi ishujt e banuar grekë pothuajse çdo ditë. Mosmarreveshjet kane vazhduar rreth destinacioneve turistike të njohura të Rodos dhe Samos.

Ankaraja tha se Greqia i kishte humbur të drejtat për një pjesë te ishujve pranë brigjeve turke duke i militarizuar ato, duke shkelur Traktatin e Lozanës të vitit 1923 dhe Traktatin e Paqes të Parisit të vitit 1947.

Athina, nga ana tjetër, ka argumentuar se militarizimi është vetëm një përgjigje ndaj pranisë së mjeteve të shumta zbarkuese turke përgjatë bregdetit perëndimor turk, duke përmendur të drejtën e çdo vendi për vetëmbrojtje.

Mosmarrëveshja lidhur me ishujt është vetëm një prej konflikteve mes dy vendeve. Rezervat e gazit natyror në Egje janë një tjetër burim mosmarrëveshjeje.