Aplikacion
Vrasjet e grave dhe dhuna ndaj tyre është një nga fenomenet më shqetësuese në vendin tonë. Vështirësitë ekonomike dhe mendësia e prapambetur janë disa nga shkaqet që kanë çuar burrat në vrasjen e tyre. Në shumicën e rasteve, gratë kanë qënë të “mashtruara” nga drejtësia dhe policia pasi edhe pse kishin urdhra mbrojtjeje, ato nuk arritën të shpëtonin nga vdekja. Urdhri i mbrojtjes në Shqipëri është kthyer në një letër formale, pasi në të shumtën e rasteve, viktima dhe dhunuesi ndajnë të njëjtën banesë dhe nuk respektojnë atë çfarë thuhet në letër, herë-herë ngaqë e kanë të pamundur.
S.B, 23 vjeçe, u vra në shtëpinë e prindërve të saj në Zharrëz të Fierit, pasi ishte divorcuar nga bashkëshorti. Një vit më parë, autori i krimit E.M kishte marrë peng ish-bashkëshorten dhe familjen e saj në banesën e tyre. Viktima ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, por ai nuk shërbeu për asgjë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, numri i grave të vrara është rritur me 9%. Pandemia konsiderohet si faktor përkeqësues.
Shifrat e dhunës në familje janë një tregues që paralajmëron vështirësitë e familjes shqiptare ku vetëm gjatë 10-mujorshit të vitit 2021 janë regjistruar 1363 raste, me një rritje me 5,8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas INSTAT-UNDP, rreth 750 mijë gra dhe vajza në Shqipëri deklarojnë se kanë qenë të paktën një herë në jetën e tyre viktima të dhunës në familje. Rastet e dhunës në familje janë edhe më të mëdha, pasi pjesa më e madhe e tyre nuk denoncohen, për shkak se viktimat e shohin dhunën në familje si një ҫështje personale.
Edlira Çepani, koordinatore kombëtare e rrjetit “Barazia në Vendimmarrje”, shpjegon për Zoom.al faktorët kryesorë të këtij fenomeni.
“Mentaliteti është i pari”, thotë ajo. “Mendësia e gabuar se gratë dhe burrat nuk kanë të drejta të barabarta dhe se rolet e tyre në shoqëri dhe në familje janë tërësisht të përcaktuar nga gjinia e tyre.”
Sipas aktivistes të të drejtave të njeriut, faktori i dytë bazuar tek mentaliteti është mënyra se si shoqëria reagon ndaj dhunës me bazë gjinore. Nëse një shoqëri apo komunitet nuk dënon dhunën, por ka tendencën të fajësojë viktimën, atëherë kjo gjë nxit që këto situata të përsëriten dhe nuk i ndalon ato.
Sipas zonjës Çepani, nëse sanksioni për krime të tilla është serioz dhe i patundur, atëherë krijohet një bazë për parandalimin e tyre. Nëse për shkak të korrupsionit apo neglizhencës në sistemin e drejtësisë këto nuk ndodhin, atëherë krijohet një rreth vicioz i dhunës që nuk ka rrugëdalje.
Në lidhje me shtimin e rasteve të grave që janë vrarë për vitin 2021 në krahasim me vitin e kaluar, koordinatorja e “Barazia në Vendimmarrje” tha se pandemia ka ndikuar në disa aspekte, si në dobësimin e ekonomisë së familjeve, si në shëndetin mendor, por edhe në funksionimin më të dobët të mekanizmit të referimit.
Për të parandaluar fenomenin e vrasjeve, Edlira Çepani sugjeron që situata të trajtohet me seriozitetin që meriton dhe jo me lehtësi apo neglizhencë duke e trajtuar krimin në familje si një krim të dorës së dytë.
Sipas saj, shteti duhet të investojë në 3 shtylla kryesore. E para është parandalimi përmes edukimit të shoqërisë dhe skemave mbështetëse të familjes, grave e vajzave, femijëve.
Shtylla e dytë është trajtimi serioz e tempestiv i rasteve kur ato ndodhin që nga denoncimi deri tek marrja në mbrojtje dhe strehimi i përkohshëm.
E treta, duhet bërë sanksionimi serioz dhe pa asnjë rrethanë lehtësuese, për çdo situatë dhune brenda familjes e aq me tepër vrasje. Asnjë tolerim dhe neglizhim nuk duhet te kete në këtë sens./ Armand Kullau-Zoom.al
Argita në krye të PD-së? Berisha: Unë nuk do t’ia hap dyert! Nëse vendos të hyjë në politikë…