zoom

Të gjitha

Granatë në Jarinjë? Policia e Kosovës e mohon: Ishte plumb qorr!

Policia e Kosovës ka përgënjeshtruar lajmin se pika kufitare e Jarinjës është sulmuar me granata, por konfirmon se ka ndodhur një incident.

Sipas një deklarate të drejtorit të policisë kufitare, Ragip Bunjaku në doganën e Jarinjës ka rënë një plumb qorr.

Bunjaku ka folur për gazetën “Telegraf” duke thënë se nuk bëhet fjalë për asnjë sulm, por për një plumb qorr dhe rasti po hetohet.

Pika kufitare e Jarinjës ishte njëra prej dy pikave të bllokuara nga serbët gjatë protestave kundër reciprocitetit të targave. Serbët bllokuan rrugën që të çon në Jarinjë me kamionë dhe kërkuan tërheqjen e forcave speciale të Kosovës që u vendosën atje për të mbrojtur doganierët dhe policinë kufitare.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës shkaktoi reagimin e Serbisë që kërcënoi me afrimin në kufi të ushtrisë, tankeve, avionëve dhe helikopterëve ushtarakë. Kriza u zgjidh me ndërmjetësimin e Brukselit ku palët ranë dakord që të mbulonin targat përkatëse deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme brenda gjashtë muajve.

Pjesë e marrëveshjes ishte heqja e kamionëve nga rrugët nga ana e serbëve, tërheqja e policisë speciale të Kosovës dhe marrja e në dorëzim për ruajtjen e pikës kufitare nga ana e forcave të KFOR. Këto të fundit u tërhoqën vetëm sot nga kjo pikë.