zoom

Aktualitet

Gledis Nano shkund policinë e Elbasanit: Zbardhni ngjarjet kriminale dhe kapni autorët e vrasjeve

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,  Gledis Nano mori pjesë në analizën vjetore të punës së strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. 

Gjatë fjalës së tij Nano është ndalur në perceptimin që është krijuar në komunitet, për shkak të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Në lidhje me këtë perceptim, Drejtori i Përgjithshëm Nano ka garantuar qytetarët se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan janë tërësisht të angazhuara për të vijuar punën, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, krijimin e një ambienti sa më të sigurt, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, kapjen e autorëve dhe të personave në kërkim.

Po në këtë kuadër, Drejtori i Përgjithshëm Gledis Nano ka kërkuar angazhim akoma më shumë nga strukturat e Policisë, si dhe ka kërkuar nga qytetarët, besim dhe mbështetje për të ndihmuar shërbimet e Policisë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe ndryshimin e këtij perceptimi që është krijuar kohë më parë në këtë rajon. 

Më pas, gjatë zhvillimit të analizës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka kërkuar strukturave vendore, rritjen e forcës goditëse dhe zbuluese, zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe kapjen e autorëve, parandalimin e kultivimit të kanabisit, duke treguar zero tolerancë në parandalimin e krimit dhe goditjen me ashpërsinë e ligjit, të atyre që ushtrojnë veprimtari kriminale në çdo fushë, duke sjellë pasoja për jetën dhe pronën e qytetarëve. 

Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar strukturave vendore që të grumbullojnë informacion, duke bashkëpunuar me qytetarët, për vendndodhjen e personave në kërkim dhe me ndihmën e Forcave Operacionale në PSH, të realizohet kapja e tyre.

Nano ka siguruar strukturat se do të kenë në dispozicion ekspertët më të mirë të hetimit të krimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me qëllim bashkërendimin e punës dhe me Prokurorinë e Rrethit, për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.