Aplikacion
Kështu deklaron avokati i ish-kryeministrit Berisha, Genc Gjokutaj. Ai sqaroi dhe argumentet kërkesën për revokimin e masës.
“Akt-ekspertimi kontabël shpjegon të gjithë ecurinë e historisë së zotit Malltezi, që në kundërshtim me ç’kërkon Prokuroria, gjithçka është shpjeguar. Akti është depozituar dhe i jep përgjigje çështjes së korrupsionit për zotin Malltezi dhe bashkëpunimit më tej me zotin Berisha. Çështje absurde, por ndonjëherë absurdi do më shumë kohë për t’u sqaruar.
Akti i ekspertimit vërteton që procedura ka qenë e rregullt, nuk ka pastrim të produktit të veprave penale”, tha mbrojtësi ligjor për mediat.
Gjykata e Posaçme nuk po arrin dot ta finalizojë shqyrtimin e ankimimit të avokatëve të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, që kërkojnë prishjen e masës së sigurisë, “arrest me burg”.
Njoftohet se edhe sot u shty seanca për ish-kryeministrin Berisha dhe Malltezi, ku pritej të shqyrtohej revokimi i masës së sigurisë.
Seanca mësohet se do të mbahet më datë 12 mars në orën 15:00.
Avokatët kërkuan kohë të njihen me informacionin dy mujor të depozituar nga ana e SPAK në gjykatë, në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani” dhe në të njëjtën kohë depozituan një tjetër kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. /ZOOM.AL/