zoom

Aktualitet

GJKKO liron nga sekuestro 2/3 e pronave të Habilajve, konfiskohen 9 pasuri

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të premten të heqë urdhrin e sekuestrimit për pjesën më të madhe të pasurive të familjes Habilaj sa i përket numrit të tyre, ndërsa urdhëroi konfiskimin dhe kalimin nën pronësi të shtetit të një të tretës së tyre, pasi Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij u shpallën fajtor dhe u dënuan nga drejtësia italiane dhe ajo shqiptare.

Gjykata e Posaçme thotë në një njoftim se kryetarja Irena Gjoka ka vendosur që një listë me 9 pasuri, përfshirë prona të patundshme dhe automjete, konfiskohen dhe i kalojnë shtetit ndërsa pjesa tjetër e pasurive të sekuestruara në vitin 2018, lirohen.

“Revokimin e masës së sekuestrimit për pasuritë e tjera sekuestruar me vendimin Nr.20, datë 15.09.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda,” shkruhet në vendimin e gjykatës, ku emrat e pronarëve të pasurive nuk janë.

Vendimi nuk saktëson se sa është vlera e pasurive të konfiskuara ndërsa vendimi i sekuestrimit i vitit 2018 rendiste rreth 29 prona të luajtshme dhe të paluajtshme. Pjesa më e madhe e tyre u liruan nga sekuestrimi si pasuri të ligjshme.