zoom

Sport

Gjesti emocionues, Joao Pedro ngushëllon mesfushorin e përlotur të Parmës

Cagliari triumfoi “in extremis” në përballjen direkte për mbijetesë ndaj Parmës, duke rritur ndjeshëm shpresat për të mbijetuar në elitë dhe njëkohësisht duke afruar edhe më shumë emilianët me Serinë B.

Megjithatë më shumë se rezultati i ndeshjes, fotoja që po bën xhiron e rrjetit është ajo e kapitenit të sardëve, Joao Pedro, që ngushëllon mesfushorin e emilianëve, Jasmin Kurtic në përfundim të takimit, teksa të dy lojtarët duken të përlotur.

Parma humbi një ndeshje të cilën po e fitonte në minutën e parë të shtesës dhe mesfushori slloven u shtri në tokë i përlotur, ndërsa më pas pranë tij shkoi pikërisht kapiteni i Cagliarit për t’u ulur pranë dhe për ta ngushëlluar.

Joao Pedro dhe Kurtic kanë luajtur bashkë për pak kohë te Palermo në vitin 2011, ndërsa më pas pranë të dyve shkoi edhe trajneri i Cagliarit, Leonardo Semplici, i cili ka stërvitur mesfushorin slloven te Spali një sezon më parë.

“Përqafimi mes Joao Pedros dhe Kurtic ishte një gjest mjaft i bukur për t’u parë dhe sigurisht shumë i drejtë sportivisht, pasi ashtu si shkoi ndeshja, mund të ishim edhe në pozita të kundërta, duke qenë se mund të kishim humbur ne. Futbolli është i tillë për fat të keq, por në fund të ndeshjes përfundon gjithçka dhe mbetet vetëm gjesti i bukur”, deklaroi trajneri Semplici në përfundim të takimit.