zoom

Aktualitet

Gazlotsjellës dhe të shtëna, tensionohet situata në veri të Kosovës

Situata e tensionuar raportohet nga veriu i Kosovës, ku janë dëgjuar të shtëna armësh.

Policia e Kosovës ka reaguar për zhvillimet e sotme ku janë lëshuar sirena, ka pasur të shtëna dhe gaz lotsjellës.

Policia deklaron se ka asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse pas zgjedhjes dhe betimit.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Policia thotë se po ndërmerr masa policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në veri.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend. Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftim.