zoom

Politikë

Gara në PD, Kadilli: Ja çfarë i kam thënë Bashës para 25 prillit, ai nuk njeh territorin

Fatbardh Kadilli, kandidat për kreun e PD-së, u shpreh se Lulzim Basha është njeriu më i investuar i Sali Berishës nga viti 2005 e në vijim.

Kadilli tha se është kjo arsyeja sepse Basha mori drejtimin e PD në vitin 2013.

“Është njeriu më i investuar në PD nga Sali Berisha, mori ministritë më të rëndësishme, u vendos në Krye të Bashkisë së Tiranës dhe iu dha Partia Demokratike.

Politikani më i talentuar që ka pasur Shqipëria është Sali Berisha, dhe siç ka meritat e tij, ka edhe defektet, pasi PD ka mbetur vazhdimisht parti e dytë si sigël për shkak se Berisha e tonizoi PD-në”, tha Kadilli.

Ai tha se Edi Rama duhet të largohet pasi ka instaluar në vend sundimin.

Lidhur me zgjedhjet e 25 prillit, Kadilli tha se “nuk kishte një program real për qytetarët, iu tha taksa 9 %, e njëjta që iu tha edhe në 2013 edhe në 2017”.

“Nuk ka manipulim në kuptimin e rezultatit, por para se të shkohej në kutitë e votimit ka pasur blerje votash. Por kjo blerja e votës pavarësisht se është krim elektoral, ne nuk mund të themi sot se do të protestojmë për blerjet e votave, dhe në protesta të na vijnë ata që shitën votën”, tha Kadilli.

Sipas tij, PD mori kauzat rastësore dhe i la në mes të rrugës, duke ulur besueshmërinë e qytetarëve.

“Edi Rama e nisi fushatën 36 javë para zgjedhjeve, ndërsa PD e nisi 6 javë para zgjedhjeve.Rama ka stafet elektorale në PS, në administratë, ka edhe bandat, dhe e nis fushatën 36 javë para 25 prillit, ndërsa ne si PD e nisim 6 javë para zgjedhjeve.

Ia kam thënë Bashës që bashkë me LSI nuk merr dot më shumë se 67 mandate, ndërkohë që ai të hënën pas zgjedhjeve, dilte dhe thoshte që fitorja është në kuti. Pse ndodh kjo? Sepse Basha nuk njeh territorin”, tha Kadilli.