zoom

Politikë

“Furtunë” në administratë! Rama paralajmëron: Jo më punësime me mik

Kryeministri Edi Rama paralajmëron reformë të administratës shtetërore në mandatin e tretë qeverisës të PS-së për ta “pastruar” siç tha ai nga “ata që janë turpi i këtij shteti e turpi ynë në marrëdhëniet me qytetarët”.

Në fjalën e tij para deputetëve të PS, Rama theksoi se punësimi sipas meritës dhe konkurencës dhe jo me lidhje e interesa politike në administratë, duhet të jetë një kusht i panegociueshëm për punën e secilit në këtë mandat të tretë.

“Dua të jemi të gjithë bashkë në këtë sforco me qartësinë që sic kemi bërë me policët, mësuesit e infermierët duke hequr dorë nga ndërhyrjet politike për puënsimin e tyre duhet të bëjmë me gjithë administratën në territor. Kjo është domosdoshmëri dhe e panegociueshme.

Një rrugë e re mundësish të barabarta e konkurrence në bazë të merites duhet të hapet për ata që kanë dëshirë të kontribuojnë në administratën e këtij shteti.

Sipas aftësisë e meritës e jo sipas lidhjeve me deputetë e ministra.

Kjo duhet të jetë vetëdije dhe qasja e mandatit tonë të tretë.

Dua shumë që gjithë ju me mua të pedalojmë në të njëjtin drejtim pa u lodhur e pa humbur durimin që askush këtu mos pengojë me vetëdije ose pa vetëdije, por vetëm të kontribuojë me vullnet të mirë që administrata të çlirohet përfundimisht nga kthetrat e interesave politike dhe që fytyra jonë mos njolloset në vazhdimësi për shkak të atyre që përfitojnë nga këto interesa politike e pastaj s’bëjnë asgjë tjetër përveçse shikojnë xhepin e tyre”, tha Rama.