zoom

Lajme

“Fundi i pasanikëve”/ Pse njerëzit po u bëjnë bllok VIP-ave dhe influencuesve në rrjetet sociale?

Përdoruesit e TikTok kanë nisur një “fushatë” goxha serioze, ku nxisin njerëzit që t’u bëjnë bllok të famshmëve dhe influencuesve në rrjetin social.

Lëvizja e quajtur “digitine” (bashkimi i “digjital” dhe “gijotinë”), po merr një vëmendje të madhe dhe pretendohet se është një mënyrë ndëshkimi ndaj VIP-ave dhe njerëzve me ndikim në rrjet, duke e rikthyer kështu fuqinë te njerëzit e thjeshtë. Qëllimi i bllokimit të tyre është që ata të mos fitojnë më para nga reklamat dhe marrëveshjet me markat e ndryshme.

Si nisi trendi?

Trendi nisi nga një përdoruese e TikTok-ut, @ladyfromtheoutside, e cila vuri në dukje se një modele dhe influencuese, (@haleyybaylee) Haley Kalil (që numëronte 10 milionë ndjekës në TikTok, por rishtazi, njerëzit po e bllokojnë), publikoi një video nga Met Gala, duke thënë një ndër shprehjet që supozohet ta ketë thënë mbretëresha franceze, Marie Antoninette.

Shprehja “Let them eat cake” (“Lëri të hanë tortë”) pretendohet të jetë thënë gjatë Revolucionit Fancez, karshi njerëzve të varfër.

Menjëherë, përdoruesit e TikTok iu sulën me komente Haley-t, duke e cilësuar si “mizore” dhe “të pashpirt”, pasi përdor një shprehje të tillë, ndërkohë që bota po përballet me uri dhe me gjenocide në Gaza, Kongo, Kurdistan etj.

Vajza që nisi trendin shprehet:

“Është momenti që t’u bëjmë block të famshmëve, influencuesve, shoqërisë së pasur dhe ata që kanë shumë burime, për ta kthyer vëmendjen te njerëzit në nevojë”.

Kalil kërkoi ndjesë dhe fshiu videon nga rrjetet sociale, duke argumentuar se përdori shprehjen pa e ditur natyrën dhe kuptimin e saj. Ajo tha se ishte pjesë e look-ut të saj dhe se nuk ka qenë mjaftueshëm e informuar, por njerëzit nuk e besojnë.

Gjithashtu, u frymëzua nga eventi i fundit i modës, Met Gala 2024, ku njerëzit e famshëm treguan se po shpenzonin shumë para për veshje ekstravagante dhe blenë biletën 75,000 dollarëshe për pjesëmarrjen në event. (Çmimi i biletës është raportuar nga BBC). Kështu, nisi një paralelizëm me gjithë flluskën ku jetojnë njerëzit e famshëm, të cilët kanë luksin të paguajnë të tilla shifra me sfidat e përditshme në të cilat jetojnë njerëzit e thjeshtë. Përdoruesit e TikTok e krahasuan gjithë situatën me “The Hunger Games”, një film distopik, në të cilin të varfrit ndahen nga të pasurit.

“Digitine” po vijon dhe asnjë prej VIP-ave nuk është i sigurt. Trendi ka përfshirë edhe Kardashians, Jenners, Taylor Swift, Drake etj. Njerëzit gjithashtu po komentojnë nëpër videot e Met Gala dhe jo vetëm “Të gjithë nga Rafah” (zona në Gaza e cila po sulmohet dhunshëm nga Izraeli), për të marrë më shumë vëmendje.

Nga ana tjetër, ata po ndjekin të tjerë VIP-a, sidomos që kanë qenë zëra të fortë për mbështetjen e Gazës dhe që kanë folur hapur dhe me guxim kundrejt padrejtësive që po bëhen. Një prej tyre është Macklemore, i cili sapo ka publikuar një këngë në mbështetje të Gazës: