zoom

Bota

Frikë për sulm terrorist në aeroportin e Kabulit/ Tre shtete japin alarmin: Largohuni menjëherë

Një numër kombesh i druhen një sulmi terrorist në aeroportin e Kabulit dhe kanë paralajmëruar qytetarët e tyre që të mos udhëtojnë atje.

Australia, SHBA dhe Britania e Madhe kanë lëshuar paralajmërime për qytetarët e tyre.

Ata që janë tashmë jashtë aeroportit këshillohen të largohen menjëherë nga zona, shkruan BBC.

Më shumë se 82,000 njerëz janë transportuar me aeroplan nga Kabuli, i cili ra në duart e talebanëve 10 ditë më parë.

Vendet po nxitojnë për të evakuuar njerëzit deri në 31 gusht.

Mijëra njerëz janë ende duke pritur brenda dhe jashtë aeroportit, duke shpresuar të fluturojnë jashtë vendit.

Talibanët kanë kundërshtuar zgjatjen e afatit, por gjithashtu kanë premtuar se do të lejojnë të huajt dhe afganët të largohen nga vendi përtej 31 gushtit, sipas sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken.

Të enjten, ministrja australiane për Punët e Jashtme, Marise Payne, tha: “Ekziston një kërcënim i vazhdueshëm dhe shumë i lartë i një sulmi terrorist”.

Më herët Departamenti Amerikan i Shtetit u tha qytetarëve që prisnin në Abbey Gate, East Gate ose North Gate që të “largoheshin menjëherë”.

Mbretëria e Bashkuar lëshoi këshilla të ngjashme duke u kërkuar njerëzve atje “të largohen në një vend të sigurt dhe të presin këshilla të mëtejshme”.

Zyra e Jashtme tha se situata e sigurisë në Afganistan “mbetet e paqëndrueshme” duke shtuar se kishte “një kërcënim të vazhdueshëm dhe të lartë të një sulmi terrorist”.

Asnjë nga vendet nuk dha ndonjë informacion shtesë.