zoom

Bota

Frikë për jetën? Erdogan anulon pjesëmarrjen në samitin e klimës

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka anuluar vizitën e tij në Skoci për Konferencën e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike dhe arsyeja, sipas mediave të huaja, është  “protokolli më i ulët i sigurisë” i aplikuar për delegacionin turk.
Dy persona që janë në dijeni të çështjes e bënë këtë pohim për Middle East Eye. Kjo e fundit pretendon se Erdogan pritej të drejtonte delegacionin turk të hënën dhe të martën për negociatat për ndryshimin e klimës, ku marrin pjesë liderë liderë botërorë, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden dhe shefin e Elizesë, Emmanuel Macron.

Middle East Eye pretendon se organizatorët vendosën kufizime në madhësinë e delegacionit turk si dhe tek automjetet që mund të përdoreshin nga zyrtarët turq gjatë konferencës, por kjo gjë ka ngritur shqetësime mbi sigurinë e presidentit turk dhe të delegacionit. Qeveria pritëse britanike në fundjavë u tërhoq dhe u tha homologëve të saj turq se do të zbatonte të njëjtin protokoll të përdorur nga presidenti amerikan për Erdoganin, në dukje një përditësim për sa i përket detajeve të sigurisë.

Por të njëjtat burime pretendojnë se ekzekutivi britanik ka ndryshuar sërish mendje dhe presidenti turk ka vendosur ta anulojë pjesëmarrjen në samitin që konsiderohej mjaft i rëndësishëm për Turqinë, parlamenti i të cilës e ratifikoi marrëveshjen e Parisit për Klimën në fillim të këtij muaji, duke u bërë vendi i fundit i G20-ës që e hidhte këtë hap.