zoom

Aktualitet

Frikë nga vaksinimi! Sot radha e mësuesve dhe pedagogëve, por sa e sigurt është vaksina e AstraZeneca-s

Nis sot vaksinimi i mësuesve dhe pedagogëve, me mbërritjen e sasisë prej 38 400 doza nga “AstraZeneca” mbrëmjen e djeshme, Kryeministri Rama tha se do të fillohet menjëherë me vaksinimin jo vetëm të mësuesve siç ministrja deklaroi, por edhe pedagogëve duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi.

I pranishëm në aeroportin “Nënë Tereza” për të pritur dërgesën e siguruar përmes mekanizmit COVAX, kryeministri përçoi ftesën e vonuar për stafet mjekësore të Kosovës, që po ashtu do të mund të bëhen pjesë e planit të vaksinimit në këtë fazë.

“Nesër (sot) ne do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithën territorin e vendit duke i kthyer shkollat në pika vaksinimi në një pjesë të konsiderueshme. Ndërkohë që, jemi gati së bashku me Kosovën për t’i dhënë mundësi mjekëve dhe infermierëve të spitaleve COVID që të vijnë dhe të vaksinohen në Kukës. Do të lidhemi me strukturat përkatëse atje për ta bërë këtë të mundur”, tha Rama.

Me mbërritjen e kësaj dërgese, e radhës nuk do të jetë pas disa ditësh sikundër u tha, por në muajin prill. Kryeministri bëri të qartë dje se si nga “Pfizer”, ashtu edhe nga mekanizimi COVAX, dërgesat e radhës do të mbërrijnë përgjatë muajit prill.

“Në ditët në vijim presim një sasi tjetër të konsiderueshme. Rreth 60 mijë doza që do të mbërrijnë në muajin prill. Po ashtu, nga Pfizer-i do të kemi 30 mijë doza të tjera që vinë në prill. Ideja është që të kemi një vaksinim intensivë për të thyer zinxhirin e infektimeve e për të lehtësuar ndjeshëm sezonin turistik”, tha kreu i Qeverisë.

DYSHIMET

Por sa e sigurt është vaksina e Oksfordit, apo “AstraZeneca”? Prej disa ditësh në vendet e Bashkimit Europian mediat shkruajnë mbi efektet e padëshiruara që kjo vaksinë ka shkaktuar te pacientët që janë vaksinuar.

Pas masës së ndërmarrë më herët për të mos e aplikuar në moshat mbi 65 vjeç, shumë vende të Bashkimit Europian kanë bllokuar procesin e vaksinimit, duke iu lënë kohën e mjaftueshme autoriteteve që të hetojnë, për të hequr çdo dyshim mbi pasojat apo efektet e padëshiruara që ajo mund të shkaktojë.

Në një komunikim për mediat, shefja e departamentit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha një ditë më parë se situata do të jetë nën monitorim. Sipas saj, nga 5 milionë, evropianë që janë vaksinuar vetëm 20 kanë shfaqur probleme.

Pra, niveli i riskut është minimal.

“Ne duhet të jemi të hapur ndaj ‘AstraZenca’, se mendohet se vaksina është e sigurt dhe nuk shkakton këto fenomene, por natyrisht do të monitorohet siç monitorohen për sigurinë të gjitha vaksinat që ne përdorim. Janë 5 milionë vaksina që janë aplikuar në vendet e BE-së dhe kemi vetëm 20 raste me këtë lloj patologjie që kanë sjellë bllokimin në disa shtete, e që po studiohet”.

Për të hequr çdo dyshim mbi ata të cilët kanë rezerva mbi këtë vaksinë, doktoresha tha se sasia e mbërritur në vendin tonë është e ndryshme nga lotet e dërguara në vendet që kanë marrë masën e bllokimit.

“Loti që ne na vjen është totalisht i ndryshëm nga lotet që janë vënë re në Austri, Holandë apo Itali, nuk ka lidhje me këto lote”.

‘AstraZeneca’ do të aplikohet te të gjitha grupmoshat. Pasi të gjitha komitetet e vendeve që menduan se kjo vaksinë duhet të përdoret nën 65 vjeç e kanë kthyer këtë vendim, qoftë në Itali, Gjermani apo Francë. Kjo vaksinë mund të përdoret në të gjitha moshat”, shtoi më tej doktoresha.

VAKSINIMI

Të enjten, përmes një akti normativ, qeveria vendosi të jetë e hapur me të gjitha vendet që prodhojnë vaksina antiCovid, përfshirë këtu Rusinë dhe Kinën, për të cilat kishte mbyllur çdo shteg më parë. Ndërkohë, prej 11 janarit vijon procesi i vaksinimit për personelin shëndetësor dhe personat mbi 80 vjeç.

Më herët, ministrja Manastirliu tha se brenda kësaj jave do të përmbyllet vaksinimi i stafeve mjekësore, por kjo vështirë se mund të përmbushet sa kohë janë 23 mijë mjekë dhe infermierë, për të cilët do të duhen 46 mijë doza. Shifrat e deritanishme flasin për as më pak e as më shumë sesa 26 635 të vaksinuar pa dhënë detaje se sa prej tyre i kanë marrë të dyja dozat.

“Vijon procesi i vaksinimit antiCovid në qendrat e përqendruara të vaksinimit në të gjithë vendin. Gjatë ditës së sotme janë kryer 942 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 23,635 vaksinime për personelin shëndetësor dhe të moshuarit”, ka bërë me dije Ministria.