zoom

Slider

Fitore për Kosovën/ Apple e njeh si shtet të pavarur në hartat e saj

Pas tre peticioneve të organizuara online, Apple është tërhequr dhe ka vendosur që të njohë në shërbimin e saj të hartave edhe shtetin e Kosovës.

Kompania ka përditësuar “Apple Maps” bashkë me sistemin operativ iOS dhe në të është futur edhe harta e Kosovës, që deri më tani mungonte.

Ndryshe nga sistemet e kaluara, me sistemin iOS15 tek iPhone kufijtë e Kosovës shënohen me vijë të plotë e jo të ndërprerë, siç ishte më parë, duke nënkuptuar se bëhej fjalë për një territor të kontestuar.

Sistemi i ri operativ është nxjerrë në të njëjtën kohë me telefonin e ri, iPhone 13. Vetëm pak muaj më parë, Apple korrigjoi edhe emërtimet e qyteteve dhe vendeve në hartë, duke i shënuar ato në gjuhën shqipe.

Kjo ka ardhur pas një peticion të filluar në korrik të vitit të kaluar, përmes të cilit mijëra shqiptarë i kërkuan “Apple”-it të tregonte një Kosovë të pavarur në hartat e saj. Peticioni u firmos dhe u mbështet edhe nga personazhe të njohura me origjinë shqiptare nëpër botë, si këngëtaret Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha dhe të tjerë.