Aplikacion
Administratori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, duket se do të ketë “fatin” e paraardhësve në atë institucion, të arrestuar dhe hetuar për abuzime të rënda me detyrën. Por, duke qenë se Gjyli ka qenë “në hije” gjatë kohës së Ergys Verdhos dhe Evis Berberit, ai ka “kopjuar” veprimet e tyre, teksa ka dyshime se të gjitha veprimet e ARRSH-së diktohen nga zyrat e Ministrisë së Infrastrukturës.
Zv.Kryeministrja Belinda Balluku ka pasur kontroll të plotë mbi institucionet e varësisë, duke hequr dhe duke emëruar të “besuarit”. Madje, ajo del kryelartë me ta në ecejaket në kantieret e rrugëve, ashtu siç bëri edhe me Gjylin ditët e fundit, në Unazën e Madhe të Tiranës.
Me skema të ngjashme me Tiranën, Balluku po vepron me të gjitha rrugët, qoftë ato të dhëna me koncesion, ashtu edhe në ato të tenderuara, ku segmentet ndahen në lote për të “kënaqur” të gjithë.
Sipas dokumenteve që disponon redaksia e VoxNews, një nga firmat që do të mbikëqyrë rrugën Elbasan – Papërr është “SPHAERA”. Në datën 24 dhjetor 2024, ARRSH s’kishte ndërmend të festonte Krishtlindjen, por të përpilonte dokumentet e tenderit të radhës. Ajo shpalli fitues të “supervizion punimesh, ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza I”, me fond limit 19.195.959 lekë, ose me verë 200 mijë euro.
Në këtë procedurë morën pjesë 22 firma, ku shumica kishte ofertë më të ulët se fituesi. Të gjitha u skarcuan nga Gjyli, teksa shpalli fituese ofertën e bashkimit të operatorëve “KLODIODA” & “SPHAERA”, me një vlerë 17.300.000 lekë.
Por, firma “SPHAERA” nuk është e panjohur. Emri i saj ndodhet në dosjen hetimore të SPAK-ut për dosjen e Vangjush Dakos. Madje, pas bashkëpunimit me Dakon firma u skualifikua disa muaj nga pjesëmarrja në tender. Mësohet se “Spahera” u përmend në dosjen e SPAK-ut që futi në burg Vangjush Dakon, për tenderin e projektit bregdetar te zona e Currilave. Dyshohet se vlera u fry 10 fish, teksa dyshimet ishin se bëhej fjalë për korrupsion. Por, kur kaluan disa muaj nga ky hetim, firma po vijon të fitojë tendera, madje duke mbikëqyrur një nga akset e një rëndësie të veçantë.
Ndërkohë, në të njëjtën kohë me tenderin e parë, Gjyli shpalli fitues një tjetër procedurë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “supervizion punimesh, ndërtim aksi rrugor Elbasan – Papërr Faza III”, me fond limit 22 milionë lekë. Në këtë tender u shpall fitues BOE “A & E ENGINEERING” dhe “IMES-D”, me një vlerë 20.900.000 lekë. Vlera e firmës fituese s’ka qenë më e vogla, por me të njëjtin mekanizëm, ofertat më të ulta u skualifikuan.
VoxNews ka mësuar se një nga firmat fituese, përkatësisht “Imes D” ka pasur një dosje hetimore dhe gjyqësore. Firma dhe pronari i saj, Ibrahim Dragoshi janë hetuar për shkak se i “vodhën prokurorisë së Elbasanit 3.5 mln lekë me tenderin për sistemin e kondicionimit”. Dragoshi qëndroi disa kohë në burg, madje u gjykua për këtë vepër penale në vitin 2022. Por, sërish ka vijuar të marrë pjesë në tendera, madje duke u shpallur edhe fituese.
Supervizimi i tenderëve është shumë i rëndësishëm në një punë publike, pasi mund të vendosë edhe shtimin e kostove deri në 20 % të vlerës së prokuruar. Ndaj, këto firma marrin pjesë masivisht, për t’i lehtësuar punën firmës ndërtuese dhe duke bërë “negocimin” me Autoritetin Rrugor Shqiptar. Por, duke vendosur firma me precedentë penalë, i gjithë investimi kalon në ujëra të dyshimta, pasi kostot mund të rriten. Një skemë e pastër, që ndodh pothuajse në të gjitha kantieret e rrugëve në Shqipëri, që ka qenë dhe vijon të “komandohet” nga kupola e ARRSH-së, pavarësisht se kush është në “timon”. Voxnews/