zoom

Aktualitet

Financimet europiane dhe kontratat koncesionare mund të pengojnë projektin arab për Portin e Durrësit

Dyshimet janë shtuar. Zoom.al publikoi disa muaj më parë një artikull, sipas të cilit, projekti i arabëve të “Emaar Group” për Portin e Durrësit nuk do të jetë ai që ishte publikuar në foto e plane të shpërndara nga zyrat e Emaar dhe nga qeveria shqiptare.

Pas këtij artikulli, një media tjetër, MCN, investigoi dhe zbuloi se Emaar do të vinte në Shqipëri përmes një kompanie offshore për të zbatuar planin e tij për portin, ndonëse ligji shqiptar nuk i lejon më kontratat koncesionare me të tilla kompani.

Vëmendjen mbi këtë çështje sensitive tani e ka shtuar edhe opozita.

Ajo ngriti sot disa pyetje dhe publikoi disa fakte, të cilat duket se, në mos të pamundur, e bëjnë të vështirë realizimin e projektit.

U vu në dukje fakti se  janë disa institucione Europiane dhe Ndërkombëtare që kanë financuar me kredi ndërtimin e infrastrukturës portuale.  Banka Europiane e Investimeve (BEI) ka financuar 17 milion Euro për ndërtimin e kalatës së kontenierëve.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka financuar 32 milion Euro për terminalin e trageteve. Banka Botërore ka financuar 13 milion USD për kalatën e përpunimit të grurit.

Por shqetësimi tjetër ka të bëjë me kontratat.

koncesionare për terminalin e mallrave rifuxho dhe terminalin e pasagjerëve. Aty janë kompani Gjermane që operojnë me koncesion për 35 vite.

Opozita paralajmëron se cënimi i këtyre kontratave do të përfundojë në arbitrazh dhe për këtë arsye Shqipërisë do t’i duhet të paguajë sërish.

Kryeministri Rama publikoi një ditë më parë një maket, ndërsa një projekt në 3D u prezantua pak më parë me praninë e përfaqësuesve të Emaar Group, kryeministrit Rama dhe disa ministrave.

Opozita thotë se projekti ka nevojë për transparencë dhe se deri tani nuk janë parë as studime dhe as kuadri ligjor mbi të cilin do të bazohet ndërtimi i portit. /Zoom.al

LEXO EDHE:

EKSKLUZIVE/ Dështon projekti i Emirateve për Portin e Durrësit

Thellohet skandali i denoncuar nga Zoom/ EMAAR tërhiqet nga Porti i Durrësit? E ndërton një kompani Offshore