zoom

Aktualitet

Ferdinand Dervishi: Policia dhe Prokuroria ecën me këmbët e politikës

Gazetari Ferdinand Dervishi, në një intervistë për gazetën MAPO, thotë se shkaku kryesor që shqiptarët shkojnë me shumicë te krimi, ka lidhje sa me varfërinë, dhe tendencën për të arritur gjithçka në një kohë të shkurtër. Sa i përket reagimit të autoriteteve mbi parandalimin dhe zbulueshmërinë e krimeve, thotë se nuk sheh ndonjë polici apo prokurori që ecën me këmbët e veta. Sipas tij, Policia dhe prokuroria shqiptare vijojnë të ecin me këmbët e politikës.

Shqipëria është një nga vendet që ka shifra të larta të kriminalitetit, cilat janë shkaqet?

Shqipëria mund të jetë vendi me kurbaturën më të lartë në Europë sa iu përket shifrave të kriminalitetit, qoftë të atij që vepron brenda territorit, qoftë të atij që vepron jashtë vendit, apo qoftë të pjesës ndërvepruese.

Shkaku kryesor që shqiptarët shkojnë me shumicë te krimi, si mundësi për të ndërtuar jetën, ka lidhje sa me varfërinë, pra ekonominë e dobët dhe tendencën për të arritur gjithçka në një kohë të shkurtër, aq edhe me tranzicionin e gjatë prej rreth 30 vitesh si dhe realitetin e një vendi që ofron shumë pak mundësi për shtetasit e vet.

Edukimi i dështuar i brezave është një tjetër pasojë. Aktualisht të rinjtë nuk po rriten duke pasur si idhuj shqiptarë apo të huaj të shquar në fusha të ndryshme të jetës, por duke pasur si idhuj të fortët e lagjeve, ata që kanë bërë lekë duke trafikuar e shitur narkotikë në vende të ndryshme të Europës etj.

Për rrjedhojë, numri i të rinjve që mendojnë pasurimin përmes metodave të paligjshme vijon të jetë përherë e më i madh.

Në 4 muajt e parë të këtij viti, kemi rreth 20 ngjarje kriminale. Vërehet një rritje e vrasjeve krahasuar me një vit më parë, ku për 6 muaj u regjistruan 24 vrasje, ndërsa këtë vit, në 4 muaj kemi rreth 20. Pse mendoni se këtë vit kemi pasur këtë hov në numrin e vrasjeve. Çfarë ka ndikuar?

Zgjidhja e problemit me anë të mohimit të jetës së tjetrit vijon të jetë një psikologji dominuese te grupet kriminale shqiptare. Ndërsa shkaqet që i çojnë të vrasjet janë të shumta. Ato kanë lidhje me konflikte të reja apo të vjetra të lindura mes një grupi apo midis grupeve gjatë aktivitetit kriminal, më së shumti për shkak të përplasjeve për prodhimin, trafikun e shpërndarjen e narkotikëve etj.

Ka përplasje që lindin e konsumohen brenda vendi, por kohët e fundit ka vrasje apo zhdukje personash sidomos për konflikte të nisura jashtë vendit. Vitet e fundit grupet kriminale shqiptare janë duke ndërtuar linja pothuaj të plota të trafikut të drogave të rënda dhe duke instaluar njerëz të besuar në Amerikën Latine. Gjithçka bëhet për të rritur fitimin duke nxjerrë jashtë loje shitësit “dorë e parë”.

Kështu, grupet e fuqishme kriminale shqiptare nuk po e blejnë më kokainën në portet e Holandës apo Belgjikës, por drejtpërdrejt dhe shumë më lirë nga kartelet kolumbiane. Më tej “malli” dërgohet në Europë ku grupet shqiptare mbyllin gjithë ciklin me shitjen e saj me pakicë.

Por kjo është një lojë e rëndë, pasi thyerja e linjës, kapja e sasive të mëdha nga agjencitë ligjzbatuese apo dalja nga rreshti e përgjegjësve të një hallke, shkaktojnë dëme miliona dollarëshe. Si rezultat, nisin ekzekutime të egra të përgjegjësve të vërtetë apo edhe eventualë.

Sa ndikon periudha parazgjedhore në rritjen e valës së kriminalitetit?

Para zgjedhjeve të 25 prillit ka pasur vërtet një numër të shtuar vrasjesh, që të gjitha të realizuara me anë të metodave të sofistikuara, kryesisht duke përdorur vrasës me pagesë.

U tha se kanë pasur lidhje me politikën, pasi disa nga viktimat, që të gjithë të përfolur si trafikantë tepër të fuqishëm të narkotikëve, do të ndihmonin në zgjedhje njërën apo tjetrën parti politike. Unë nuk e besoj plotësisht.

Më tepër besoj se nxitimi për të hequr qafe një kundërshtar, apo një bashkëpunëtor jo korrekt, mund të ketë lidhje me situatën e trazuar apo me ndryshimin e raporteve të influencës dhe fuqisë pas zgjedhjeve.

Si e vlerësoni rolin e autoriteteve si në parandalimin, po ashtu edhe në zbulueshmërinë e krimeve?

Nuk shoh ndonjë polici apo prokurori që ecën me këmbët e veta. Policia dhe prokuroria shqiptare vijojnë të ecin me këmbët e politikës. Për rrjedhojë ato kanë mbetur në pasivitet dhe reagojnë vetëm kur në mes ka ngjarje me impakt të madh publik, apo që ka lidhje me politikën.

Nga ana tjetër, kur policia, apo edhe prokuroria shohin se si politika e ka mendjen te mbushja e xhepave dhe jo te ndërtimi i shtetit, përgjithësisht nuk motivohen në plotësimin e detyrave të tyre. Përkundër, nën shembullin e politikës, edhe krerët e këtyre organeve organizojnë apo ndërfuten në skena përfitimi.

Porse këto skema janë shumë të rrezikshme, pasi policinë dhe prokurorinë puna i lidh vetëm me krimin dhe për rrjedhojë skemat i bëjnë duke u lidhur me krimin. Sigurisht në këtë pikë janë qytetarët, biznesi… është vetë populli që duhet të paguajë.