zoom

Aktualitet

Falsifikim/ Pezullohen nga detyra drejtori i burgut të Reçit edhe dy zyrtarë të tjerë

Janë pezulluar nga detyra drejtori i burgut të Reçit në Shkodër, Maliq Meta, shefi i policisë së burgut, Robert Bundo dhe një nënkomisar, Gëzim Qosku.

Urdhrin për ekzekutimin e vendimit e ka dhënë Prokuroria e Shkodrës, pasi hetimi vërtetoi se zyrtarët falsifikuan raportet për një ngjarje në IEVP-në Reç, mes disa të dënuarve.

Sipas Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Sistemit të Burgjeve, në rrugë operative janë vënë në dijeni se kishte dyshime që në IEVP-në e Reçit ishin administruar dokumente të falsifikuara.

SHKBB sqaron se më 20 korrik 2021, rreth orës 10:25 në ambientet e ajrimit në burg të dënuarit “E.Ç.”, “F.G.” dhe “P.N.”, dhunuan me shkelma dhe grushte bashkëvuajtësin “E.Z.”. Nënkomisar Gëzim Qosku përpiloi raport shërbimi të ngjarjes për autorët. Mandej, me urdhër të drejtorit dhe Shefit të Policisë, Robert Bundo ai hartoi raport të dytë dhe kreu falsifikimin e firmave të efektivëve të policisë “G.Q.” dhe “E.Z.”.

Puna vazhdoi mbi raportet e falsifikuar në Komisionin Disiplinor, që kishte anëtar drejtorin Meta dhe shefin e policisë Bundo.