zoom

Politikë

Faktet që rrëzojnë propogandën e Ramës/ Vendi që përdori vaksinën kineze, shkon drejt izolimit

Mjeku i njohur, Petrit Vargu, i ftuar në SYRI TV, duke komentuar vaksinën kineze që po përdoret në Shqipëri, tha se pavarësisht se një vend si Kili ka kryer vaksinim masiv, po shkon drejt izolimit total.

Por sa e vërtetë është kjo?

Sipas revistës ‘Spectator’, deri më 29 mars, Kili kishte vaksinuar 6.5 milionë persona në një popullsi prej 19 milionë banorë. Vaksinat e përdorura ishin Pfizer dhe Sinovac kineze.

Pavarësisht se është edhe përpara Britanisë me vaksinime, Kili është futur sërish në izolim të thellë. Të dhënat tregojnë se shifrat e të prekurve nga koronavirusi janë shtuar ndjeshëm. Më 26 mars u regjistruar 7626 raste, një rekord për këtë vend.

Por përse vendi po shkon në izolim?

E para, qeveria është e shqetësuar për variantet e reja të koronavirusit.

E dyta, eksperienca kiliane tregon se çfarë mund të ndodhë nëse masat e kufizimit lehtësohen më shpejt se ç’duhet.

E fundit, sipas Spectator, nga të gjithë vaksinat në botë, vaksina kineze e Sinovac ka të dhënat më pak të efektshme dhe më të paqëndrueshme. Një studim në Brazil ka treguar se efektshmëria e kësaj vaksine është 50 përqind. Ky është një studim i hershëm dhe nuk merr në konsideratë mutacionet e shumta që po qarkullojnë.

Për ironi, rasti i Kilit tregon se kryeministri Edi Rama po mashtron me spotin e tij elektoral për vaksinimi.

Edi Rama thotë me zërin e tij në spotin elektoral se: “Për pak muaj kjo vuajtje e madhe do të mbarojë”. Dhe më pas ai shpjegon se çdo të thotë kjo. Ai tregon një vend që këtë verë do të jetë i hapur për turistët e huaj, ku nuk do të ketë kufizime për baret dhe restorantet dhe as orar policor.

Por kthimin në jetën e mëparshme që këtë verë, ashtu sikurse reklamohet në spotin e fushatës së PS, nuk e konfirmon asnjë studim shkencor. Edhe nëse Rilindja e arrin objektivin e saj maksimal, për 500 mijë të vaksinuar deri në këtë periudhe, kjo do të jetë e pamjaftueshme për kthimin në normalitet. Rasti i Kilit e rrëzon plotësisht këtë propagandë, duke marrë në konsideratë sidomos përdorimin e vaksinës kineze.