zoom

Politikë

Erion Braçe frymëzon dhe justifikon dhunën/ Mbrojtja e rrezikshme që i bën kryebashkiakut të Mallakastrës

Qerim Ismailaj, kryetari aktual i Bashkisë së Mallakastrës do të gënjente në formularin e dekriminalizimit. Për t’u bërë funksionar shteti, e fshehu të shkuarën e tij.

Ismailaj rezulton i dënuar me 3 vjet burg në Greqi për përleshje dhe rrahje, dënim të cilin nuk e kishte deklaruar në KQZ, për të mos u kapur nga ligji i dekriminalizimit, i cili do t’ia mohonte zgjedhjen në këtë detyrë.

Prokuroria hetoi me kërkesë të PD-së dhe krimi u zbulua e bashkë me të dhe shkelja tjetër ligjore, siç është fshehja e tij.

Por teksa pritet që KQZ-ja të vendosë për shkarkimin, në rrjetet sociale dhe mediat online reagimet janë të shumta; njëra palë që thotë se jo rastësisht të gjithë kriminelët futen në politikë nën siglën e Rilindjes dhe pala tjetër që fajëson individin që ka gënjyer partinë.

Çuditërisht në këtë debat është shfaqur edhe një mendim i tretë. Dhe ai vjen nga Erion Braçe, numri 2 i qeverisë Rama.

Zëvendëskryeministri ka vendosur t’i dalë në mbrojtje kryebashkiakut që fshehu dënimin në Greqi.

Braçe ka marrë përsipër ta justifikojë Ismailajn duke thënë se ai ishte përfshirë në një sherr me pronarin grek, i cili nuk i kishte dhënë rrogën.

Ai thotë se “Ismailaj nuk është dënuar as për trafik armësh, droge apo qeniesh njerëzore, por veçse ka grushtuar dikë që nuk i dha paratë që i takonin”.

“Çfarë idiotësh ka kjo opozitë” vijon ai.

LEXO EDHE: 3 vjet burg për përleshje/ Braçe: Kryebashkiaku i Mallakastrës u dënua se i kërkoi rrogën pronarit! Çfarë idiotësh ka kjo opozitë

Por me këtë qëndrim, zëvendëskryeministri po justifikon një veprim të dhunshëm për të realivizuar veprën penale.

Shumëkush mund të pyesë: Po nëse Ismailaj do ta kishte vrarë personin tjetër në sherrin për të kërkuar pagën? Po sikur të gjithë t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet me dhunë? Cila është idiotësia në këtë rast?

Në përgjigjje të këtyre pyetjeve shumëkush kupton që Erion Braçe jo vetëm po justifikon dhunën, por edhe po e frymëzon atë në mënyrë të rrezikshme si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

 

Ligji për dekrimianlizimin flet qartë: nëse je dënuar, nuk mban dot funksione publike. Nëse e fsheh dënimin, ke bërë dy herë krim dhe duhet të dënohesh edhe për të dytin.

Por Braçe, ashtu si Rilindasit e PS-së nuk janë pajtuar asnjëherë me këtë ligj, që u nxori jashtë parlamentit e zyrave të bashkive disa figura të ardhura në PS në kohën e Rilindjes, aq sa shefi i tij e quan antikushtetues, duke pranuar se ishte i detyruar ta votonte dhe se do ta zhbënte po të kishte pasur mundësi, vetëm e vetëm që kriminelët e futur në politikë të vijonin të ndanin ofiqet pa u shqetësuar. /Zoom.al