zoom

Aktualitet

“Erdhi dita e shumëpritur”, Artan Grubi jep lajmin e mirë për koridorin 8 dhe 10

Dikur ishte një ëndër, sot po bëhet realitet. Procedurat për dy nga korridoret më të rëndëisdshme, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për rajonin, pra korridoret 8 dhe 10-D janë në fazën finale dhe shumë shpejt pritet të nisin punimet.
Lajmin e bën të ditur zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili thotë se më së fundi dita e madhe erdhi.
Ai shprehet se ditën e sotme do të miratohet raporti i konsulentit mbi negociatat me kompaninë Bechtel-Enka, e cila do të ndërtojë këto dy akse shumë të rëndësishme.
“Ditë e madhe na pret sot në Komitetin Drejtues dhe më vonë edhe në Qeveri ku do ta shqyrtojmë raportin e konsulentit tonë mbi negociatat me konzorciumin Bechtel-Enka për ndërtimin e koridorit 8 dhe 10-D si dhe propozim kontratën për miratim dhe nënshkrim. Erdhi edhe dita e shumëpritur”, shkruan Grubi në një mesazh në rrjetet sociale.


Më herët gjatë këtijn viti Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore dhe Konsorciumi ndërkombëtar “IRD Engineering” kanë nënshkruar marrëveshjen për konsultat dhe mbikëqyrje të Korridoreve 8 dhe 10-D, që do të ndërtohen nga konsorciumi amerikano-turk “Behtel dhe Enka”. Me nënshkrimin e marrëveshjes nisi procesi negociues me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër autostradave me mbi 120 kilometra gjatësi të korridoreve 8 dhe 10-D.
Për Zv. kryeministrin e parë, Artan Grubi ky është vërtet një moment historik për Maqedoninë e Veriut.
“Ne po fillojmë ndërtimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e Republikës së pavarur të Maqedonisë, i cili do të jetë shumë domethënës për të gjithë qytetarët tanë, për ekonominë tonë dhe për lidhje rajonale”, deklaroi gjatë nënshkrimit të marrëveshjes Grubi.


Me këtë projekt është planifikuar ndërtimi i autostradave: Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë me një gjatësi 22.5 kilometra, Gostivar – Bukojçan me gjatësi 30.1 kilometra, Tetovë – Gostivar me gjatësi 27 kilometra, dhe seksioni nga Korridori -10 d Prilep – Manastir me gjatësi 43.4 kilometra. Në buxhetin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve janë parashikuar 15 miliardë denarë ose 244 milionë euro.
Këto janë dy projekte që më së shumti do t’I shërbejnë komunitetit shqiptar të Maqedonisë së Veriut, pasi akset që do të ndërtohen do të kalojnë kryesisht në territore të banuara nga shqiptarët.
Një meritë të madhe për çuarjen përpara të këtyre dy projekteve ka zëvendëskryeministri Artan Grubi, i cili ka qenë zyrtari më i lartë i Maqedonisë së Veriut që është angazhuar drejtpërdrejtë në finalizimin e këtyre projekteve.
Gjithashtu një rol të madh në konkretizimin e këtyre projekteve ka edhe BDI, si forca më e madhe shqiptare që është pjesë e qeverisë.
Ndërtimi i këtyre dy akseve të rëndësishme ka qenë pjesë e programit politik dhe I premtimeve elektorale të kësaj force.
Korridori VIII apo siç njihet në formulimet perëndimore Korridori paneuropian VIII është një aks komunikacioni që lidh Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Korridori është gjithashtu një arterie e rëndësishme ekonomike pasi lidh portet në Adriatik me Deti i Zi dhe konsiderohet si një korridor i transportit të kombinuar. Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kështu do të kenë qasje më të madhe në perëndim, ndërsa Shqipëria ashtu si vendet e tjera shpreson për të fituar një bum ekonomik. /Zoom.al