zoom

Aktualitet

Emri/ Kush është polici që tentoi të përdhunonte të miturën

Një polic i identifikuar si Kol Kola, është arrestuar  pasi akuzohet se ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur

Ai është ndaluar nga SHÇBA me urdhër të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë. Policia njofton se më 29 prill, 62-vjeçari ka mashtruar të miturën duke i thënë se do ta dërgonte në komisariat dhe më pas e ka dërguar në një banesë që e kishte në përdorim.

Pikërisht në këtë ambient ai ka kryer vepra të turpshme me të dhe ka tentuar të abuzojë seksualisht. Uniformat blu bëjnë me dije se e mitura ka bërë kallëzim dhe pas verifikimeve nga ana e policisë gjyqësore efektivi është vënë në pranga për veprën penale “Ngacmim seksual”

Njoftimi i SHCBA:
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, në ngarkim të një punonjësi policie, me detyrë Ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Lezhë, për veprën penale, “Ngacmim seksual”.

Ndalimi i 62-vjeçarit u krye pasi dyshohet se në datë 29 prill 2021, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një të mitur.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se punonjësi i policisë K.K. ka shfrytëzuar rastin që e mitura ka qenë e pashoqëruar nga persona madhorë, e duke keqpërdorur atributet që i jep detyra funksionale, nëpërmjet mashtrimit se do ta shoqëronte në Komisariatin e Policisë, e ka marrë të miturën në një banesë në qytetin e Lezhës, që e kishte në përdorim. Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa.

Nisur nga kallzimi i të miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se shtetasi K.K. ka konsumuar elementë të veprës penale “Ngacmim seksual”.