zoom

Sport

Elseid Hysaj karikon Lazio-n para supersfidës: Në Napoli duhet të luash me besim të madh

Lazio luan sot përballë Napolit në “Diego Maradona”, stadium ku Elseid Hysaj kaloi gjashtë sezone. Bardhekatrit dëshirojnë të ruajnë me çdo kusht vendin e katërt. Por, përballë do të ketë skuadrën më në formë të Europës.

Djemtë e Spallettit vijnë nga tetë fitore radhazi dhe kryesojnë Serie A me 18 pikë më shumë se vendi i dytë. Mbrojtësi shkodran i kombëtares shqiptare, tregon “sekretin” e suksesit ndaj Napolit.

“Duhet kurajo dhe ndërgjegjësim për t’u përballur me Napolin. Ata janë të fortë dhe po bëjnë gjëra të mrekullueshme. Në atë stadium duhet të luash me besim të madh. Nevojitet qëndrimi i duhur për t’i vënë në vështirësi. Ne po rritemi. Shpresojmë të mbërrijmë një ditë në pikën për të luftuar për fitimin e titullit, siç po bën Napoli”, u shpreh Hysaj.

29-vjeçari po luan sezonin e dytë me skuadrën kryeqytetase. Hysaj numëron 29 ndeshje deri në këtë fazë të sezonit në të gjithë kompeticionet. /zoom.al/