zoom

Aktualitet

Ekzekutimi i Bejtes, pas atentatit dyshohet grupi i Martinajt. Ja fotot dhe lidhjet e të ndaluarve

Personat e arrestuar të dyshuar të përfshirë në vrasjen e Gentian Bejtjas disa ditë më parë në Larushkë të Fushë-Krujës ,janë Ilir Beqaraj alias Brahimi, alias Mançellari dhe Edison Haxhiu (foto kryesore, Haxhiu majtas dhe Beqaraj djathtas).

Ilir Beqiraj (foto poshtë) është kushëriri i Ylli Brahimit, i cili njihet si krahu i djathtë i Ervis Martinajt, i cili u ka shpëtuar disa atentateve. Madje në njërin prej tyre, vitin e kaluar, ai shpëtoi për mrekulli, por mbeti i vrarë një prej miqve të tij të afërt, teksa dilnin nga mjeti në Fuhë-Krujë.

Ai lëvizte me tre identitete, Beqaraj dhe Mançellari gjithashtu, teksa mbante edhe dokumente si kosovar, pasi besohet se ka kryer aktivitet kriminal ndër-rajonal dhe po vijojnë hetimet. Prokuroria shpreson të kthejë një nga dy të ndaluarit në bashkëpunëtor të drejtësisë.

Një tjetër person është ndaluar sipas policisë, 30-vjeçari Edison Haxhiu, i datëlindjes 30.07.1994, lindur në Milot  dhe banues në Tiranë, për kryerjen e veprës penale, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, (foto poshtë).

Ish-polici i burgjeve, Gentjan Bejtja u vra më 15 mars në oborrin e shtëpisë përmes një atentati të mirëorganizuar në Larushkë të Fushë Krujës.

Bejtja u kishte shpëtuar tri atentateve, por i katërti ishte fatal për të. Teksa ndodhej në oborrin e banesës duke punuar në serrë, persona të maskuar e qëlluan me breshëri plumbash. Pas ngjarjes, u shoqëruan në polici disa persona me precedentë kriminalë në zonë. Ka dyshime të forta se pas krimit janë implikuar Eljo Hato, miku i Martinajt dhe kushëriri i këtij të fundit nga burgu, Emiljano Nina, makinat e të cilëve u gjetën me armë.

Valter Bami, një prej personazheve të botës së krimit me të cilin viktima ka pasur konflikte të hapura, ishte njëri prej të shoqëruarve në polici. Bami ishte një prej të arrestuarve pas atentatit të 4 korrikut 2023 ndaj Bejtjas në Larushkë të Krujës, ku u plagosën djemtë e Gentian Bejtes, 10 dhe 13 vjeç dhe u vra kunati i tij Ramazan Sino. Atij iu gjet barut në duar dhe për pasojë u la në “arrest shtëpie”, masë që përfundoi në 18 janar të këtij viti.

Në vendngjarje u gjetën rreth 50 gëzhoja kallashnikovi që dyshohet të jenë qëlluar nga 2 armë të ndryshme, ndërsa makina “Land Rover” dhe targat e saj, rezultojnë të jenë vjedhur në Shkodër në gusht të 2023-it. /ZOOM.AL/