zoom

Aktualitet

Ekskluzive nga ERTV/ Rama fut Alteon në ISHP

Çdo lajm që ka të bëjë me pandeminë, qytetarët shqiptarë po e marrin nëpërmjet ERTV. Alteo, gazetari i këtij kanali privat të kryeministrit shqiptar Edi Rama, po hyn atje ku asnjë gazetar shqiptar nuk ka arritur më parë.

Sot ai u shfaq në ERTV brenda laboratorit të ISHP ku kryhen testet për covid-19. Hyri për të treguar ambientet dhe si punohet. Na tregoi, ai vetë dhe jo punonjësit e ISHP, se aty punohet 24 orë. Punonjësit vetëm pohonin “patjetër, patjetër”. Kur shtonin diçka, Alteo pohonte me kokë nga ana tjetër.

E pyeti Silva Binon, një nga drejtueset e ISHP, se si kishin qenë këto ditë nga ana njerëzore, siç pyeten zakonisht të ftuarit në emisionet televizive rozë të pasditeve.

Si gazetar i televizionit privat të Edi Ramës, e pyeti për të marrë përgjigjen e shumëkërkuar nga kryeministri: “Unë do doja që bashkë me ju të bënim një lloj krahasimi që nga momenti i parë kur pandemia u shfaq në vendin tonë, lidhur ne numrin e testimeve. A kemi ne realisht një rritje faktike të testimeve në Shqipëri?” Imagjinojeni vetë përgjigjen. A mund t’i thotë gazetarit të kryeministrit një punonjëse e ISHP të kundërtën e asaj që pret kryeministri e që ai e thotë përditë ku t’i jepet rasti?

Gazetari insiston: “ka zëra, kryesisht vijnë nga opozita, nga politika se Shqipëria ka një numër shumë të ulët testimesh edhe krahasuar me vendet e rajonit”.

“Jo, Shqipëria nuk ka një numër të ulët testimesh. Shqipëria ka raportuar vetëm testimet publike. Shqipëria nuk ka raportuar asnjëherë testimet private, gjë e cila ne po e kryejmë aktualisht. Deri në 2500 – 3000 testime në ditë, përfshirë publikun dhe privatin”, thotë Silva Bino e ISHP.

E pyeti Alteo, Binon, edhe për qytetarët që nuk bëjnë kujdes e për shumë të tjera. Por një pyetje, që do t’ia kishte bërë çdo gazetar, edhe ai i televizionit publik apo atyre që i bëjnë jehonë propagandës së kryeministrit, nuk ia artikuloi dot: Si ka mundësi që qytetarëve u vonohet përgjigjja e tamponit edhe 12 apo 14 ditë dhe a ka më vlerë tamponi kur nuk u jepet përgjigje për aq kohë sa virusi o mund të ketë ikur vetë o pacienti mund të ketë shkuar në gradën e fundit?

Megjithatë Alteon mund ta ndiqni për të parë mjediset e ISHP apo infektivit, ato pjesë të tyre që duken bukur në ekran.
Për të bërë gazetarin natyrisht i duhet një kryeredaktor dhe një pronar tjetër televizioni, jo si ai që ka aktualisht. / Zoom.al