zoom

Aktualitet

“Eja dil pak”! Mesazhi që nxori në rrugë Endri Mustafën, si i bënë pritë 32-vjeçarit në Shkodër

Zbulohen detaje të reja nga vrasja e 32-vjeçarit, Endri Mustafa në Shkodër. Sipas raportimeve, mësohet se tre ditë më parë, viktima kishte marrë dy mesazhe në celularin e tij, ku i kërkohej që të dilte jashtë.

“Eja dil pak”, është teksti i shkurtër që viktima ka marrë për të dalë nga banesa.

Prej asaj ai është larguar dhe nuk është kthyer më, ndërsa u gjet i vrarë me armë zjarri pranë vendit të quajtur Livadë.

Zhdukja e tij u denoncua edhe nga familjarët. I riu rezulton një emër i njohur për policinë, ndërsa ka precedentë të theksuar kriminalë.

Në vitin 2016 ai do të përfundonte në prangat e Policisë së bashku me 5 persona të tjerë, pasi u kapën me një arsenal armësh e municionesh luftarake.

Atëhere Mustafa akuzohej për “Vjedhje me armë ”, “Plagosje e lehtë me dashje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftrake”.

Sipas policisë, gjatë kontrollit atëherë u sekuestruan 6 automjete të ndryshme, 2 anti-plumba, 305 copë fishekë model 56, 5 krehëra armë zjarri automatikë, 2 krehëra pistoletë TT, 5 skafandra motori, 4 maska dhe 4 kapuçë me ngjyrë të zezë, 7 copë fishekë model 54, 3 gëzhoja model 54, rroba me mbetje si gjaku dhe 8 telefona celularë të markave të ndryshme.

Emri i Endri Mustafës lakohet sërish në vitin 2020, ku ai shpallet në kërkim policor gjatë operacionit “Maranaj” për fajde.