zoom

Aktualitet

E premte e zezë! Tjetër aksident në Tiranë, këmbësori dërgohet me urgjencë në spital

E premtja e zezë mund të cilësohet dita e sotme sa u takon aksidenteve rrugore. Policia e shtetit sapo njoftoi për një ngjarje në zonën e Laknasit, ku një grua, e cila po drejtojnte mjetin e saj ka përplasur me makinë një 75-vjeçar.

“Më datë 30.04.2021, rreth orës 14:10, në rrugën e Rinasit, tek kthesa e Laknasit, mjeti me drejtuese shtetasen G. S., 46 vjeçe, ka aksidentuar këmbësorin shtetasin M. H., 75 vjeç, i cili ndodhet në spital, në gjëndje të rëndë shëndetsore. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin paraprak të Policisë.

Ndërkohë që në Tiranë u regjistrua më parë edhe një aksident tjetër te “21 Dhjetori”, ku mjeti me drejtues shtetasin D. M., ka aksidentuar këmbësoren shtetasen B. M., 22 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Ditën e sotme kanë ndodhur tre aksidente, ku fatkeqësisht njëri u shoqërua me vdekje. Aksidenti në fjalë ndodhi në Fier dhe ku policia njoftoi paraprakisht se “Sot rreth orës 13:45, në fshatin Zharrëz, Patos, shtetasi E. S., 33 vjeç, banues në Patos, duke drejtuar automjetin tip “Opel” është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin A. H., rreth 50 vjeç, banues në fshatin Zharrëz”.