zoom

Rajoni

E pazakontë në Maqedoni, 4 festa zyrtare radhazi deri në zgjedhjet e 8 Majit! Edhe shkollat pushim

Diçka e pazakontë po ndodh në Maqedoni, si rrallë më parë, teksa sezoni zgjedhor politik ka rastisur me festat zyrtare dhe pushimin mbi një javor të shkollave për sezonin pranveror.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në përputhje me Ligjin për Festat e Republikës së Maqedonisë së Veriut (“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 21/98 dhe 18/07), njoftoi sot se do të ketë katër festa dhe pushim zyrtar institucionesh deri në zgjedhjet e 8 majit, sipas raportimit të INA:

-1 maj 2024 (e mërkurë), dita e punëtorëve është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

-3 maji 2024 (e premte), e Premtja e Madhe, e premtja para Pashkëve, është ditë jopune për qytetarët e besimit ortodoks në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

-6 maj 2024 (e hënë), Pashkët, dita e dytë e Pashkëve sipas kalendarit ortodoks, është ditë jopune për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

8 maji ( e mërkurë ), dita e zgjedhjeve të dyfishta, Presidenciale dhe Parlamentare, do të jetë ditë feste për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i uroi qytetarët për festat e ardhshme, teksa njoftohet se edhe shkollat nisën sot pushimet deri në datën 7 maj. /ZOOM.AL/