zoom

Lajme

Dyndje nga Tirana drejt Milanos për takimin e Ramës, “Wizz Air” e çon biletën deri në 500 euro

Kryeministri Edi Rama pritet të mbajë nesër një takim me emigrantët shqiptarë në Itali, pas “mitingut” që mbajti më 12 maj në Athinë të Greqisë.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Rama ka kujtuar se takimi që do të mbahet në Milano, në (Viale Gabardi, 43,21052 Busto Arsizio Va), në orën 11:00.

Ndërkohë njoftimin e ka bërë përmes një fotoje ku tregon anijen e njohur të eksodit shqiptar drejt Italisë.

Por në Tiranë duket se ka një panoramë tjetër. Ndërsa në Greqi pajtoi autobusët për të transportuar militantët dhe administratën drejt Athinës, u raportua për të paktën 3 mijë persona, në Itali ka përsëri dyndje dhe kërkesa, kryesisht për bileta avioni.

Dhe prej dy ditësh raportohet se është rritur numri i kërkesave, aq sa edhe çmimi i biletës gati është trefishuar. Kompania “Wizz Air” mësohet se ka ndryshuar çmimet me bileta që shkojnë deri në 500 euro, teksa ka edhe problematika në vonesa dhe pritje të gjata për fluturim nga Rinasi në destinacionet e tjera.

Dhe shkaku i dyndjes njoftohet se është pikërisht takimi i Ramës në Milano, pasi udhëtimi me avion mbetet më komod dhe i shpejtë, por me çmim të kripur tashmë.

Lidhur me këtë ka reaguar vetë kompania Wizz Air, e cila këshillon qytetarët se si duhet të veprojnë për të përfituar çmime sa më ekonomike.

“Në kompaninë tonë Wizz Air, ne përpiqemi gjithmonë t’u ofrojmë pasagjerëve tanë çmime sa me të përballueshme për fluturimet e tyre. Çmimet e biletave për fluturimet tona janë dinamike dhe ndikohen nga faktorë të ndryshëm, të nxitur kryesisht nga oferta dhe kërkesa.

Si rregull i përgjithshëm për të gjitha linjat ajrore, sa më afër të jetë data e nisjes, aq më të larta priren të jenë tarifat. Kjo është arsyeja pse ne inkurajojmë pasagjerët që të planifikojnë udhëtimet e tyre paraprakisht për të përfituar nga tarifat tona më të ulëta. Për shembull, tani pasagjerët mund të shijojnë fluturimet për në Milano nga 17,99 EUR nëse rezervojnë paraprakisht,”- thuhet në deklaratën zyrtare./ZOOM.AL/