zoom

Politikë

Dy zyrtarë të majtë braktisin PS për PD, Mazreku e Kërtusha: Sa më larg Edi Ramës

Dy zyrtarë të Partisë Socialiste e braktisën atë dhe kanë vendosur të bashkohen me Partinë Demokratike.

Serian Mazreku dhe Ardit Kërtusha e bënë publik vendimin e tyre në një takim me kryetarin e PD, Lulzim Basha.

Kërtusha qenë kryetar i forumit rinor të PS (FRESSH për qytetin e Durrësit dhe së fundmi Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Jetësimit të Prioriteteve në Bashkinë e Tiranës.

Ai tha gjatë takimit me Bashën se “Durrësi ka mbetur peng i interesave të Dakos”. Kërtusha përmendi arrogancën e Bashkisë Durrës, mungesën e shërbimeve për qytetarët dhe mbetjen e saj pa drejtues real.

Ndërsa Mazreku ka mbajtur detyrën e administratorit të njësisë administrative Kënetë. Ai  u ka bërë thirrje të gjithë të afërmve të tij të mbështesin PD-në dhe të mos pranojnë lëmosha, duke nënkuptuar shitjen e votës.

Dy socialistët u dukën shumë të revoltuar edhe me klimën brenda partisë në pushtet. Zyrat e PS-së Durrës sipas tyre janë uzurpuar nga të fortë dhe figura të botës së krimit. Alternativa që ofron PS, shprehen ata, është heshtja dhe largimi i të rinjve nga vendi.

Të rinjtë socialistë u shprehën të revoltuar me klimën politike brenda partisë së tyre, me cinizmin dhe notat groteske që mbizotërojnë në gjuhën politike të drejtuesve të saj. Kërtusha vuri në pah dallimin që ai shihte ndërmjet Bashës dhe Ramës kur theksoi se “këtu gjej një lider larg ironisë, notave groteske dhe shpërfilljes”. Ai dënoi gjuhën e urrejtjes dhe bëri thirrje që “të heqim një drejtues i cili nuk mund të drejtojë më as shtëpinë e tij, Partinë Socialiste, jo më vendin, Shqipërinë”. /Zoom.al