zoom

Aktualitet

Durrës: Pallate në vend të gjelbërimit në Kodrën e Currilave

“Administrimi dhe vazhdimësia e projekteve mbi objektin Kodra e Currilave, nga janari 2016, është e drejtë dhe kompetencë e Bashkisë Durrës“, i tha Ministria e Mjedisit Citizens Channel.

Për të marrë përgjigje mbi arsyet që çuan në ndërprerjen dhe mos-mirëmbajtjen e projektit që premtonte ri-natyralizimin e Kodrës së Currilave në Durrës, ju drejtuam Bashkisë Durrës me një kërkesë për informacion.

“Investimi i kryer në Kodrën e Currilave në Durrës është investim i Ministrisë së Mjedisit“, u tha në përgjigjen e Bashkisë Durrës.

Bashkia Durrës gjithashtu theksoi se në buxhetin e bashkisë momentalisht nuk ka fond të miratuar për të vazhduar përpara me projektin e ri natyralizimit të Kodrës së Currilave.

Nga ana tjetër, në Kodrën e Currilave kanë nisur të zhvillohen një sërë projektesh ndërtimi.

“Ka studim gjeologjik jo të zonës por të pronës ku janë dhënë leje ndërtimi. Në zonë ka leje të dhëne nga bashkia por edhe leje ndërtimi të dhënë nga KKT“, thekson Bashkia Durrës.

Në lidhje me ndërtimet në zonën që preket çdo vit nga erozioni i vazhdueshëm, urbanisti Artan Kacani thekson se  kemi të bëjmë me një përgjegjësi që tashmë i ngelet vetëm inxhiniereve dhe aftësisë së tyre të ndërtimit.

Mungesa e investimeve sjell izolimin e banorëve

Planifikuesi urban Artan Kacani shpjegon se në periudhën e regjimit komunist u krijuan edhe shtigjet e para, të cilat fillonin nga Bashkia ose nga Biblioteka e Durrësit, edhe nga lagjja e Stanit dhe depërtonin nga  Kodra e më tutje. Sipas tij shtigjet kanë qenë gjithmonë, pra shtigjet që lidhnin nga një krah pjesën e qytetit me shtigjet e detit dhe këto shtigje kanë qenë në dijeni të banorëve lokalë.

“Këto 20 – 30 vitet e fundit i kanë kërcënuar këto shtigje, këto shtigje i kanë prishur, duke vënë në rrezik dhe duke dhe duke rrethuar komunitete të tëra, pra duke mos ofruar akseve të mirëqena për qytetin dhe njëkohësisht duke ndryshuar dhe relievin kodrinor“, analizon Kacani.

Ai përfundon se kemi një proces përjashtimi që i largon njerëzit duke krijuar kategori të dyta, duke qenë se shpesh këto zona janë të lidhura me kriminalitet dhe varfëri të lartë.